Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve në rastin e rezervave shtetërore, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që çështja penale të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.

Në këtë rast janë të përfshirë ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara.

Sipas njoftimit të Apelit, Departamenti Special ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve dhe ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 13 mars 2026.

Reklamë

Të pandehurit Rozeta Hajdari., Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, ndërsa Ridvan Muharremi për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.

Po ashtu, disa nga të pandehurit ngarkohen edhe me veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare.

Në arsyetimin e vendimit, Apeli ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në pajtim me dispozitat e procedurës penale dhe mbështetet në provat dhe dëshmitë që përmban dosja e çështjes.

“Pas shqyrtimit të shkresave dhe pretendimeve të palëve në ankesë, është vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në pajtim me dispozitat e procedurës penale, si dhe në mbështetje të provave dhe dëshmive që përmban çështja penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Me këtë vendim, çështja penale ndaj të pandehurve do të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.

Reklamë

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.

Ish-ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.

Reklamë

Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.

Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.

Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore. /Reporteri/net/

.

Reklamë