Mungesat në mbrojtje dhe debutuesit e mundshëm, Foda flet para Izraelit
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur konferencë për media në prag të ndeshjes së nesërme kundër Izraelit, ku ka folur për gjendjen e ekipit, mungesat në repartin defensiv, prurjet e reja dhe pritshmëritë për këtë përballje.
Foda ka pranuar se Kosova do të ketë mungesa në mbrojtje, duke përmendur Dellovën dhe Krasniqin, por ka theksuar se ekipi ka alternativa të mjaftueshme dhe se u beson plotësisht futbollistëve që ka në dispozicion.
Foda: Kemi mungesa në mbrojtje
“Është e vërtetë, kemi disa mungesa në mbrojtje, mirëpo këto duhet t’i tejkalojmë, kemi parë që Dellova, Krasniqi janë duke munguar mirëpo tani kemi mjaftueshëm lojtarë dhe të gjithë lojtarëve që i kemi në dispozicion në iu besojmë, e kanë besimin maksimal dhe e mira e kësaj është se mund të kemi ndonjë surprizë dhe mund të ketë ndonjë lojtarë i cili mund të inkuadrohet”, tha Foda.
Një nga çështjet për të cilat foli përzgjedhësi ishte edhe gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, për të cilën pati kritika në ndeshjen e kaluar kundër Austrisë. Sipas tij, tani bari është në gjendje shumë më të mirë dhe nuk duhet të jetë arsye për ankesa nga kundërshtari.
Foda: Fusha është në gjendje perfekte
“Fusha tani është në gjendje shumë më të mirë se sa për ndeshjen kundër Austrisë që nuk ka qenë e mirë dhe tani kundërshtarët, lojtarët e Izraelit nuk kanë arsye se për çfarë të ankohen”, theksoi Foda.
Foda foli edhe për futbollistët e rinj që i janë bashkuar së fundmi Kombëtares së Kosovës, duke vlerësuar integrimin e tyre në ekip. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që ndonjëri prej tyre të jetë në formacionin startues në ndeshjen e nesërme.
Foda: Dikush nga prurjet e reja mund të debutojë nesër
“Tani të gjitha prurjet e reja që i kemi ftuar do të paraqiten për herë të parë për Kombëtaren e Kosovës, çoftë Kamberi, Enisi apo Kurtulusi janë integruar mjaftë mirë në ekip, gjë që e ka vërtetuar pritjen tonë pasi që ne i kemi shikuar në vazhdimësi, edhe në të kaluarën i kemi përcjellë dhe të gjithë lojtarët na kanë dhënë përshtypje shumë të mirë gjatë stërvitjeve dhe mund të ndodh që ndonjëri nga lojtarët të jetë në fushë në formacionin startues”, deklaroi Foda.
Në fund, përzgjedhësi u shpreh i lumtur edhe për vendimin e Lutfi Dalipit për ta përfaqësuar Kosovën, duke zbuluar se kishte pasur kontakte të vazhdueshme me futbollistin para se ai të pranonte ftesën.
Foda: Jam shumë i lumtur që Dalimi pranoi ftesën e Kosovës
“Sigurosht që jam shumë i lumtur, kemi qe shumë gjatë në kontakt me Lutfi Dalipin dhe jam shumë i lumtur që i ka thënë ‘PO’ Kosovës”, deklaroi Foda.
Kosova përballet me Izraelin nesër, më 14 nëntor, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.