Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve në rastin e rezervave shtetërore, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që çështja penale të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.
Në këtë rast janë të përfshirë ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara.
Sipas njoftimit të Apelit, Departamenti Special ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve dhe ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 13 mars 2026.
Të pandehurit Rozeta Hajdari., Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, ndërsa Ridvan Muharremi për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.
Po ashtu, disa nga të pandehurit ngarkohen edhe me veprën penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare.
Në arsyetimin e vendimit, Apeli ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në pajtim me dispozitat e procedurës penale dhe mbështetet në provat dhe dëshmitë që përmban dosja e çështjes.
“Pas shqyrtimit të shkresave dhe pretendimeve të palëve në ankesë, është vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në pajtim me dispozitat e procedurës penale, si dhe në mbështetje të provave dhe dëshmive që përmban çështja penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Me këtë vendim, çështja penale ndaj të pandehurve do të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor.