Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se nga Presidenca ka pranuar dekretin për shpalljen e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka njoftuar se kjo ka ndodhur dy javë pas miratimit të ligjit në Kuvend, duke e cilësuar këtë zhvillim si hyrje në fazën e zbatimit të tij.
Ajo ka theksuar se çdo pasuri e personave që ushtrojnë funksione publike duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar.
Haxhiu ka bërë të ditur se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e ngritjes së Byrosë, ndërsa ka thënë se rezultatet e zbatimit të ligjit do të jenë ato që do ta përcaktojnë vlerësimin e qytetarëve.
“Dy javë pas miratimit në Kuvend, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po hyn në fazën e zbatimit, sot pranova nga Presidenca dekretin për shpalljen e tij.
Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar.
Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.