Ish-trajneri i Barcelonës B, Gerard Lopez, ka deklaruar para gjykatës se ka përdorur raportet e analizës së arbitrave, të përgatitura nga ish-zëvendëspresidenti i Komitetit të Gjyqtarëve në Spanjë, Jose Maria Enriquez Negreira, për ta përgatitur ekipin rezervë për ndeshjet.
Lopez, i cili drejtoi Barcelonën B nga viti 2015 deri në vitin 2018, u paraqit të premten para Gjykatës së Instruksionit Nr. 1 në Barcelonë, së bashku me ish-delegatin e ekipit rezervë, Toni Alonso. Të dy mbrojtën dobishmërinë e këtyre raporteve, sipas agjencisë EFE.
Dy ish-punonjësit e Barcelonës konfirmuan se raportet ekzistonin dhe se ishin përdorur nga ekipi rezervë në një periudhë kur VAR-i ende nuk ishte futur në përdorim dhe klubet që garonin jashtë elitës së futbollit spanjoll kishin më pak njohuri për gjyqtarët.
Ata shpjeguan se dokumentet përmbanin të dhëna mbi tendencat individuale të gjyqtarëve, përfshirë shpeshtësinë e ndëshkimit me kartonë të verdhë, duke i mundësuar stafit teknik të përgatitej për ndeshjet me më shumë informacion rreth zyrtarëve të ndeshjes.
Carlos Naval, delegati i ekipit të parë të Barcelonës për katër dekada, gjithashtu dëshmoi në prill, pasi kishte pasur qasje në këto raporte.
Dëshmitë e fundit e afrojnë drejt përfundimit hetimin për pagesat e Barcelonës ndaj Negreiras dhe kompanive të lidhura me të dhe djalin e tij, Javier Enriquez Romero.
Hetimi nisi në mars të vitit 2023 dhe lidhet me pagesat në vlerë totale prej 8.4 milionë eurosh, të kryera nga viti 2001 deri në vitin 2018. Autoritetet po shqyrtojnë dyshimet për vepra të mundshme penale, përfshirë administrimin e padrejtë, falsifikimin e dokumenteve tregtare, pastrimin e parave dhe korrupsionin sportiv.
