Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produktit “Mish i bluar gjedhi” të kompanisë “AJH FOODS SH.P.K.” nga Novobërda, pasi analizat laboratorike kanë identifikuar ADN të pulës në produkt, ndonëse në etiketë deklarohet se përmban vetëm mish gjedhi dhe yndyrë.

Sipas AUV-së, rezultatet janë konfirmuar nga analizat e kryera në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë evidentuar edhe dokumentacion për furnizimin me rreth 2.2 tonë mish pule të ndarë mekanikisht.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve zyrtare për sigurinë, cilësinë dhe autenticitetin e produkteve ushqimore, ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Mish i bluar gjedhi” të operatorit AJH FOODS SH.P.K., Novobërdë, ndonëse në etiketimin e produktit të dokumentuar gjatë inspektimeve deklarohen vetëm mish gjedhi dhe yndyrë. Gjetja është konfirmuar nga analizat laboratorike të realizuara në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Gjatë kontrolleve zyrtare, inspektorët e AUV-së kanë evidentuar dokumentacion furnizimi për rreth 2.2 ton mish pule të ndarë mekanikisht, krahas furnizimeve me mish pule dhe mish gjedhi.”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Për këtë arsye, përveç tërheqjes së produktit nga tregu, AUV ka vendosur edhe ndalimin e përkohshëm të prodhimit deri në përfundimin e verifikimeve.

Kompania ka kërkuar realizimin e një analize paralele për të verifikuar rezultatet laboratorike, kërkesë të cilën AUV ka bërë të ditur se do ta trajtojë në përputhje me procedurat ligjore./ Reporteri/