Një 23-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga Policia e Shtetit në Bergamo të Italisë, pasi në banesën e tij janë zbuluar rreth 15 kilogramë hashash dhe marihuanë, të cilat ishin të ndara sipas llojit dhe të vendosura në kavanoza brenda një frigoriferi.

Operacioni u zhvillua nga hetuesit e Skuadrës Fluturuese të Policisë së Bergamos, të cilët zbuluan në banesën e të riut një hapësirë të organizuar si një supermarket droge. Llojet e ndryshme të hashashit ishin vendosur në kavanoza të mbyllura me kujdes, të pajisura me etiketa identifikuese dhe të renditura brenda frigoriferit, në një mënyrë që ngjante me ekspozimin e produkteve në një sektor frigoriferik të supermarketit, raporton agjencia italiane e lajmeve, Ansa.

Përveç rreth 15 kilogramëve hashash dhe marihuanë, policia sekuestroi edhe një numër të madh avulluesish, pajisje që përdoren për konsumimin e ekstrakteve të drogës përmes cigareve elektronike të zakonshme, si dhe mbi 10 mijë euro para të gatshme, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i trafikut të drogës.

Reklamë

Sipas hetuesve, veçanërisht vëmendje tërhoqi mënyra e organizimit të lëndëve narkotike, të cilat ishin klasifikuar sipas varieteteve dhe të etiketuara veçmas, duke krijuar një lloj vitrine të mirëorganizuar të drogës brenda frigoriferit të banesës.