Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë sot një ndeshje të rëndësishme, teksa në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pret Izraelin.

Dardanët synojnë të shfrytëzojnë përparësinë e fushës vendase dhe përkrahjen e tifozëve për të marrë një rezultat pozitiv në këtë përballje, e cila ka rëndësi të veçantë për objektivat e Kosovës në Ligën e Kombeve.

Skuadra e Franco Fodës vjen në këtë takim pas katër ndeshjeve në të cilat ka regjistruar një fitore, dy barazime dhe një humbje, duke grumbulluar pesë pikë. Kjo e rendit Kosovën në pozitën e dytë në Grupin B3, tri pikë prapa Austrisë.

Reklamë

Në anën tjetër, Izraeli ndodhet në vendin e fundit me vetëm dy pikë dhe do të kërkojë rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shpresat në këtë kampanjë.

Përballja e parë mes këtyre dy përfaqësueseve në këtë edicion të Ligës së Kombeve, e zhvilluar në Debrecen të Hungarisë, ishte mbyllur pa gola (0:0).

Përzgjedhësi Franco Foda ka konfirmuar se Kosova ka disa mungesa, por ka shprehur besim te futbollistët që i ka në dispozicion. Dardanët e dinë rëndësinë e kësaj sfide dhe synojnë të rikthehen te fitorja përpara tifozëve të tyre.

Ndeshja Kosovë – Izrael zhvillohet sot, nga ora 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa tri ditë më vonë, më 17 nëntor, Kosova do të luajë në udhëtim ndaj Irlandës.

Të gjitha pikët janë të rëndësishme në këtë fazë të garës, ndaj Dardanët kërkojnë një paraqitje bindëse për ta mbyllur me sukses këtë kampanjë.

Reklamë