Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të sigurojë dokumentacionin mjekësor të 43-vjeçares, e cila ndërroi jetë gjatë transportimit nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë drejt Spitalit Rajonal në Pejë.
Këtë e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Ai ka bërë të ditur se, përveç mbledhjes së dokumentacionit mjekësor, do të intervistohen edhe pjesëtarët e stafit mjekësor që u përfshinë në trajtimin e pacientes, si dhe dëshmitarët e pranishëm.
Ndërkohë, trupi i pajetë i 43-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohet obduksionit për të përcaktuar shkakun e vdekjes, njofton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit të QKMF-së në Klinë, gjendja e pacientes ishte përkeqësuar pas marrjes së terapisë, ndërsa më pas kishte shfaqur një reaksion alergjik.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”. /Reporteri.net/.