Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka bërë të ditur se, së bashku me deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, ka iniciuar kërkesën për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se kërkesa për shkarkim lidhet me disa shkelje të dyshuara ligjore, moszbatimin e vendimeve të institucioneve administrative dhe gjyqësore, si dhe përfshirjen në aktivitete politike të ndaluara me ligj.
Ai ka kritikuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ata kanë penguar diskutimin parlamentar për këtë çështje, duke votuar vazhdimisht kundër mbajtjes së saj në rendin e ditës së Komisionit për Ekonomi.
Postimi i tij i plotë:
Në kuadër të angazhimit për të adresuar parregullsitë në Autoritetin e Konkurrencës, si Kryetar i Komisionit për Ekonomi, bashkë me deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, kam iniciuar kërkesën për shkarkimin e Kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi.
Shkeljet e dyshuara ligjore, moszbatimi i vendimeve të institucioneve administrative dhe gjyqësore, përfshirja në aktivitete politike të ndaluara me ligj dhe mungesa e llogaridhënies para Komisionit parlamentar kërkojnë përgjegjësi institucionale.
Ndërkohë, deputetët e Vetëvendosjes, duke votuar vazhdimisht largimin e kësaj pike nga rendi i ditës së Komisionit për Ekonomi, kanë penguar diskutimin parlamentar lidhur me parregullsitë dhe shkeljet e dyshuara ligjore të raportuara në këtë institucion.
Përgjegjësia për funksionimin e ligjshëm të këtij institucioni është edhe përgjegjësi e Kuvendit dhe e të gjithë deputetëve që kanë për detyrë ta mbikëqyrin atë.