Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë antidrogë në rajonin e Prishtinës, me ç’rast është goditur një grup i organizuar i dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.

Gjashtë persona janë arrestuar, ndërsa janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, vetura luksoze, para të gatshme dhe sende të tjera me vlerë.

Sipas Policisë, vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro.

Reklamë

Operacioni i koduar “Heshtja” është zhvilluar më 14 nëntor 2026, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Policia ka njoftuar se operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, gjatë të cilit janë zbatuar masa të veçanta hetimore.

Sipas dyshimeve, grupi kishte strukturë të organizuar dhe hierarki të përcaktuar, nga personat në nivel drejtues deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë.

Gjatë operacionit janë bastisur disa lokacione, ku janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar. Një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt

Përveç kokainës, Policia ka sekuestruar sasi të tjera substancash të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe substanca ende të paidentifikuara.

Reklamë

Janë sekuestruar edhe rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, përfshirë euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë.

Në mesin e gjashtë veturave të sekuestruara janë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan.

Policia ka konfiskuar gjithashtu ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, telefona, pajisje elektronike dhe pajisje për vëzhgim.

Gjatë bastisjeve janë gjetur edhe një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike.

Reklamë

Sipas vlerësimeve të Policisë, kokaina e sekuestruar mund të arrinte vlerën prej rreth 111 mijë eurosh në tregun e shitjes në rrugë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.