Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë lidhur me rastin e rëndë të 26-vjeçares, e cila ndërroi jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, pasi dyshohet se kishte gëlltitur një qese me substancë narkotike.
Sipas Policisë, e reja ishte ndaluar në Vërmicë, së bashku me një person tjetër, pasi dyshoheshin për përfshirje në trafikim të narkotikëve.
Gjatë kontrollit të veturës, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë.
Policia bën të ditur se pas intervistimit, të dyshuarit mashkull i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ndërkaq, gjatë fillimit të intervistimit të 26-vjeçares, në prani të avokatit mbrojtës, asaj i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
“Është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet përgjegjëse hetimore të Stacionit Policor në Prizren, Sektori Rajonal i Hetimeve, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe prokurori kujdestar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Hetuesisë dhe Forenzikës, të cilat kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për sqarimin e rrethanave.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, pas përfundimit të procedurave fillestare dhe sigurimit të dokumentacionit mjekësor, trupi i pajetë i 26-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.”