Gjatë dy sezoneve të fundit, Gerard Martin është shndërruar në një futbollist të besueshëm te Barcelona nën drejtimin e Hansi Flickut.

Mbrojtësi i gjithanshëm, i cili u promovua në ekipin e parë nga trajneri gjerman në vitin 2024, është bërë titullar i rregullt në qendër të mbrojtjes, ku luan në krah të Pau Cubarsit, ndonëse pozicioni i tij natyral është ai i mbrojtësit të majtë.

Tani, sipas “Mundo Deportivo”, që prej transferimit te Barcelona në verën e vitit 2023, Martin nuk ka munguar asnjë ndeshje me ekipin e parë apo Barcelonën B për shkak të ndonjë lëndimi.

Reklamë

Në fakt, 24-vjeçari ka zhvilluar gjithsej 148 ndeshje me ekipin e parë dhe atë rezervë, pa qenë asnjëherë i padisponueshëm për shkak të problemeve fizike.

Gjatë kësaj periudhe, Martin ka luajtur në 148 nga 175 ndeshjet e zhvilluara nga të dyja skuadrat, që përfaqëson 85.1 për qind të totalit.

Nga 27 ndeshjet në të cilat ka munguar, dy kanë qenë për shkak të suspendimit, dy për shkak se nuk kishte mundur të regjistrohej, ndërsa 23 të tjera për shkak të vendimeve teknike të trajnerëve. Asnjëra prej mungesave nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë lëndimi.

Sezonin e parë te Barcelona, Martin e kaloi me ekipin rezervë, nën drejtimin e Rafa Marquezit. Ai luajti në 41 nga 42 ndeshjet e Barcelonës B gjatë sezonit 2023/24, duke regjistruar gjithsej 3.690 minuta nga 3.780 të mundshme.

Kjo vazhdimësi në paraqitje i ndihmoi atij të fitonte promovimin në ekipin e parë nën drejtimin e Flickut për sezonin 2024/25.

Reklamë

Nga 60 ndeshjet që Barcelona i zhvilloi në sezonin e parë me trajnerin gjerman, Martin luajti në 42 prej tyre, duke regjistruar gjithsej 1.817 minuta. Mungesat e tij në ndeshjet e tjera erdhën vetëm si pasojë e vendimeve teknike të trajnerit.

Roli i Martinit ndryshoi ndjeshëm në sezonin 2025/26, kur u zhvendos në qendër të mbrojtjes, duke zëvendësuar Inigo Martinezin, i cili ishte larguar nga klubi.

Ky ndryshim i solli përgjegjësi dukshëm më të mëdha, por mbrojtësi i gjithanshëm iu përgjigj pozitivisht, duke luajtur në 51 nga 57 ndeshjet e Barcelonës, me gjithsej 3.249 minuta në fushë.

Martin mungoi në dy ndeshjet e para të sezonit për shkak të problemeve me regjistrimin, ndërsa një tjetër ndeshje e humbi për shkak të suspendimit nga grumbullimi i kartonëve. Katër mungesat e tjera erdhën si pasojë e vendimeve taktike të trajnerit.

Reklamë

Besimi i Flickut te Martin ka vazhduar të rritet edhe këtë sezon. Ai ka luajtur në 14 ndeshje, duke regjistruar 1.029 minuta nga 1.440 të mundshme, çka e bën futbollistin e pestë me më së shumti minuta në skuadër.

Para tij renditen vetëm Lamine Yamal me 1.355 minuta, Joan Garcia me 1.305, Pau Cubarsi me 1.142 dhe Pedri me 1.111 minuta.

Këto statistika dëshmojnë vlerën që Martin i sjell Barcelonës, përtej faktit se mund të luajë në disa pozicione.

Në një kohë kur Flicku po përballet me disa lëndime në repartin defensiv, 24-vjeçari nuk ka munguar asnjëherë për shkak të problemeve fizike, duke dëshmuar besueshmërinë e tij përmes gatishmërisë së vazhdueshme për të luajtur.

Reklamë

Për këtë arsye, rinovimi i tij i pritshëm me Barcelonën nuk përbën aspak befasi.