Paris Saint-Germain po përgatit një ofertë marramendëse prej 200 milionë eurosh për mesfushorin e Real Madridit, Arda Guler, raporton mediumi turk Ajansspor.

Një ofertë e tillë do ta shndërronte reprezentuesin turk në një prej transferimeve më të shtrenjta në historinë e futbollit. Sipas të njëjtit raportim, klubi francez është i gatshëm t’i ofrojë Gulerit edhe një pagë vjetore prej 22 milionë eurosh.

Kjo ofertë financiare do të përfaqësonte një rritje të jashtëzakonshme për lojtarin, i cili raportohet se kishte refuzuar propozimin e Real Madridit për rinovimin e kontratës me pagë prej tetë milionë eurosh në sezon.

Reklamë

Interesimi i PSG-së vjen në një moment kur Guler ka fituar një rol të rëndësishëm në skuadrën e Real Madridit. Turku ka regjistruar katër gola dhe shtatë asistime në 14 paraqitje këtë sezon, duke pasur ndikim të madh në repartin ofensiv.

Megjithatë, për momentin gjithçka mbetet në kuadër të raportimeve të mediave turke dhe informacioneve kontradiktore rreth kontratës së tij.

Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një ofertë konkrete nga PSG, ndërsa as Real Madridi nuk ka sinjalizuar se dëshiron të heqë dorë nga një prej talenteve më të mëdhenj të skuadrës./ Telegrafi