Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë, duke shprehur shqetësim për respektimin e të drejtave të palëve në këtë proces.

Në reagimin e saj, Presidentja ka theksuar se çdo institucion i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, duhet të veprojë brenda juridiksionit të përcaktuar me Kushtetutë dhe të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

“Çdo institucion i Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, duhet të veprojë në pajtim me juridiksionin që ka në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duhet të respektojë të drejtat që i përmban Kapitulli II i Kushtetutës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që janë të garantuara me Nenin 22 të Kushtetutës”, thuhet në reagimin e Presidentes.

Reklamë

Ajo ka vlerësuar se aktgjykimi i sotëm ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të palëve, duke kërkuar që proceset gjyqësore dhe procedurat e ankimimit të zhvillohen në frymën e standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë.

“Çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke garantuar të drejtat e të akuzuarve dhe respektimin e procedurave ligjore.

Aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të palëve”, thuhet më tej në reagim.

Presidentja ka theksuar gjithashtu se kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe sakrifica e popullit të Kosovës, janë pjesë e historisë së vendit dhe nuk mund të vihen në pikëpyetje nga proceset gjyqësore.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur të martën aktgjykimin në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Reklamë

Sipas vendimit të gjyqtarit të vetëm, Christopher Gosnell, Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim pasi është shpallur fajtor për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurave dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë dënuar me nga 12 muaj burgim. Gjykata ka vlerësuar se, për shkak të kohës së kaluar në paraburgim, dënimet e tyre janë vuajtur dhe ata janë liruar nga vuajtja e mëtejme e tyre.

Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht, për një periudhë njëvjeçare, ndërsa Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

Sipas konstatimeve të gjykatës, Thaçi kishte ndarë me vizitorë në qendrën e paraburgimit informacione konfidenciale për dëshmitarë në procesin e veçantë për krime lufte dhe kishte përcjellë udhëzime lidhur me dëshmitë e tyre.

Reklamë

Rasti për pengim të administrimit të drejtësisë është i ndarë nga procesi për krime lufte ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Në shtator të këtij viti, në atë proces, Thaçi ishte dënuar në shkallë të parë me 25 vjet burgim.

Aktgjykimi i sotëm lidhet me një proces tjetër dhe dënimi prej 17 muajsh është shqiptuar veçmas nga ai për krime lufte. /Reporteri.net