Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar përfshirjen e Japonisë në projektin e hekurudhës së re që do të lidhë Durrësin me Prishtinën dhe më pas me Nishin, për të vazhduar drejt Evropës Qendrore.

Rama, në një deklaratë, ka thënë se për këtë projekt ka diskutuar disa herë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke vlerësuar se përfshirja e Japonisë do të ishte e rëndësishme për realizimin e tij.

Ai ka theksuar se hekurudha ka rëndësi të madhe edhe për NATO-n, për shkak të portit të ri në Durrës, i cili, sipas tij, do të ketë një degë të dedikuar plotësisht për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.

Reklamë

“Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj”, ka deklaruar Rama.

Kryeministri shqiptar ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar me Japoninë ose me partnerë të tjerë japonezë, me qëllim që të shqyrtohet mundësia e realizimit të projektit.

“Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt”, ka thënë Rama.