Policia e Kosovës ka realizuar planin operativ “Vjeshta 2026”, në kuadër të luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, gjatë të cilit ka kontrolluar 40 lokale me muzikë live dhe 62 qendra masazhi në tërë territorin e vendit.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar nga 3 deri më 17 nëntor, në bashkëpunim me inspektorë të disa institucioneve, përfshirë Inspektoratin Qendror të Tregut, Inspektoratin Qendror të Punës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Gjatë kontrollimit të 40 lokaleve me muzikë live janë hasur gjithsej 285 persona, prej tyre 223 femra dhe 62 meshkuj. Nga ky numër, 117 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 168 shtetas të huaj.
Në mesin e shtetaseve të huaja ishin 155 nga Shqipëria, nëntë nga Serbia, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.
Nga këto lokale, tetë janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për shkak të shkeljeve administrative.
Ndërkaq, gjatë kontrollimit të 62 qendrave të masazhit janë hasur 120 persona, përkatësisht 94 femra dhe 26 meshkuj. Prej tyre, 73 ishin shtetase të Kosovës, ndërsa 47 shtetase të huaja, përfshirë 19 nga Shqipëria, 27 nga Tajlanda dhe një nga Serbia.
Edhe në këtë kategori, inspektorët kanë mbyllur shtatë lokale për shkelje administrative.
Policia ka bërë të ditur se gjatë këtij plani janë evidentuar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, të njohura si raste të eskortës. Në këto raste janë arrestuar gjithsej tetë persona: katër meshkuj, prej të cilëve tre shtetas të Kosovës dhe një i Shqipërisë, si dhe katër femra, një shtetase e Brazilit dhe tri të Kolumbisë.
Për këto kundërvajtje janë dorëzuar fletëparaqitjet në gjykatë, ndërsa të dyshuarit janë dënuar me gjoba. Shtetaseve të huaja, me vendim të gjykatës, u janë shqiptuar edhe masat plotësuese të dëbimit nga territori i Kosovës dhe ndalimit të hyrjes në vend për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Policia ka theksuar se gjatë kontrolleve, të gjitha grave të hasura duke punuar në lokalet me muzikë live, qendrat e masazhit dhe rastet e eskortës u është dhënë mundësia të deklarohen nëse kanë qenë viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit me qenie njerëzore.
Megjithatë, sipas Policisë, nga këto deklarime nuk është identifikuar asnjë rast i trafikimit me qenie njerëzore.