Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj Rrahman Hotit, i dyshuar për vrasjen e rëndë dhe mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Kërkesa vjen pas vrasjes së 18 nëntorit në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, ku pas një mosmarrëveshjeje për parkimin e automjeteve, mbeti i vrarë S.D.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari ka shtënë disa herë me armë zjarri të llojit “Sig Sauer” në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas, pasi kishte hapur dyert e tij, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit.

Reklamë

Si pasojë e plagëve të marra, viktima fillimisht ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, ku kishte marrë ndihmën e parë, e më pas ishte transferuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Aty, mjekët kishin konstatuar vdekjen e tij.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se me të shtënat, i dyshuari ka vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ndodheshin në vendin e ngjarjes.

Pas të shtënave, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por më vonë ishte lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë kontrollit të automjetit të tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e dyshuar si mjet të kryerjes së veprës, dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërkaq, gjatë kontrollit të banesës janë gjetur edhe 47 fishekë të tjerë.

Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se, sipas të dhënave në dispozicion, i dyshuari kishte qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.

Reklamë

Rrahman Hoti dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.