Kosova ka lansuar të premten Sistemin e Pagesave të Shpejta, i cili do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë para brenda pak sekondave, në çdo kohë të ditës dhe gjatë të gjitha ditëve të javës.
Në ceremoninë e lansimit të këtij sistemi, të organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës financiare të vendit dhe përafrimin e saj me standardet evropiane.
Sipas tij, sistemi i ri do të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e pagesave të përditshme, përshpejtimin e qarkullimit të mjeteve për bizneset dhe uljen e kostove të transfereve bankare.
“Ky sistem do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë mjete brenda pak sekondave, në çdo orë të ditës, shtatë ditë në javë, pa u kufizuar nga orari i punës së bankave apo ditët e pushimeve”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se përfitimet e sistemit shkojnë përtej avancimit teknologjik, pasi sipas tij, ai do të ndikojë edhe në ekonominë reale përmes shërbimeve më efikase dhe qasjes më të shpejtë në mjetet financiare.
Kryeministri e lidhi lansimin e këtij sistemi edhe me synimin e Kosovës për integrim në Hapësirën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
“Integrimi evropian ndërtohet përmes standardeve që i zbatojmë, institucioneve që i fuqizojmë dhe infrastrukturës që e zhvillojmë. Në këtë kuptim, Sistemi i Pagesave të Shpejta dhe procesi ynë drejt anëtarësimit në SEPA janë pjesë e orientimit të përbashkët për një Kosovë me sektor financiar modern”, tha ai.
Në fjalën e tij, Kurti falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen financiare dhe partneritetin me institucionet e Kosovës, si dhe Ministrinë e Financave për koordinimin e projektit.
Ai gjithashtu përgëzoi Bankën Qendrore të Kosovës për udhëheqjen dhe realizimin e sistemit, si dhe institucionet financiare për angazhimin në funksionalizimin e tij.
Sistemi i ri synon të mundësojë kryerjen e transfereve bankare në kohë reale, pa kufizimet e orarit tradicional bankar, duke krijuar lehtësi shtesë për qytetarët dhe bizneset.
