Pas miratimit nga Kuvendi të masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, Kosova do të hyjë në një periudhë 60-ditore të zbatimit të masave të veçanta, që synojnë menaxhimin e situatës në sektorin energjetik dhe sigurimin e furnizimit për konsumatorët.

Vendimi i Qeverisë, i miratuar nga Kuvendi pas mesnatës me 61 vota, parasheh disa obligime konkrete për ndërmarrjet dhe institucionet publike, ndërsa një rol të rëndësishëm në këtë periudhë do ta ketë edhe hidrocentrali i Ujmanit.

Ujmani do të prodhojë energji kur kërkesa është më e lartë

Reklamë

Njëra nga masat kryesore është obligimi për ndërmarrjen hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci” që të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.

Prodhimi do të bëhet sipas udhëzimeve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), i cili do të përcaktojë kohën kur energjia nga Ujmani duhet të prodhohet.

Sipas vendimit, KOSTT-i do të obligohet ta udhëzojë ndërmarrjen që të prodhojë energji, aq sa lejojnë mundësitë teknike, gjatë orëve të pikut, kur konsumi është më i lartë.

Prodhimi mund të kërkohet edhe në periudha të tjera, kur energjia nga Ujmani ndikon më së shumti në uljen e kostove të sistemit ose kur është e nevojshme për sigurinë e furnizimit.

Për energjinë e prodhuar, “Ibër-Lepenci” do të kompensohet nga Furnizuesi për Shërbim Universal, sipas çmimit referent të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Reklamë

Institucionet publike obligohen të kursejnë rrymën

Një tjetër masë që parasheh vendimi është obligimi për të gjitha institucionet publike që të ndërmarrin masa për kursimin e energjisë elektrike.

Kjo nënkupton se institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin veprime për ta reduktuar konsumin e energjisë gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, në vendimin e miratuar nuk përcaktohet një përqindje konkrete e kursimit apo një orar i detyrueshëm për kufizimin e konsumit.

Reklamë

Komitet emergjent për ta përcjellë situatën

Në kuadër të masave do të themelohet edhe Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të krijohet dhe udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve dhe ndërmarrjeve relevante.

Ky komitet do të ketë për detyrë të rekomandojë masa shtesë për menaxhimin e situatës në furnizimin me energji elektrike, përfshirë edhe vendosjen e kushteve të veçanta komerciale.

Po ashtu, do të jetë përgjegjës për monitorimin e vazhdueshëm të sigurisë së furnizimit dhe do t’i raportojë Ministrisë së Ekonomisë çdo dy javë.

Reklamë

Raportimi do të përfshijë disponueshmërinë e kapaciteteve për prodhimin e energjisë, furnizimin, kërkesën për energji elektrike dhe gjendjen e rrjetit në vend.

Qeveria mund të ndërmarrë edhe masa të tjera

Vendimi parasheh gjithashtu mundësinë që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të tjera të veçanta, varësisht nga nevojat që mund të paraqiten gjatë periudhës emergjente.

Kjo do të thotë se masat aktuale nuk janë domosdoshmërisht të vetmet që mund të zbatohen, pasi Komiteti Teknik Emergjent mund të propozojë veprime shtesë për përballimin e situatës.

Reklamë

Megjithatë, vendimi aktual nuk parasheh shprehimisht reduktime të detyrueshme të energjisë për amvisëritë apo biznese, por përqendrohet në shtimin dhe menaxhimin e prodhimit vendor, kursimin në institucionet publike dhe monitorimin e sigurisë së furnizimit.

Pse u shpallën masat emergjente?

Në arsyetimin e vendimit, Qeveria ka përmendur disa faktorë që kanë ndikuar në sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Ndër ta është mosoperimi i njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”, për shkak të punimeve për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (NOx), projekt ky i financuar dhe kontraktuar nga Bashkimi Evropian.

Qeveria ka theksuar se vonesat në këtë projekt dhe paqartësitë rreth rikthimit të njësisë në funksion kanë rritur rrezikun për furnizimin gjatë sezonit dimëror.

Një tjetër problem i përmendur është bllokimi nga Serbia i funksionalizimit komercial të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit, çka sipas Qeverisë kufizon mundësitë e importit të energjisë elektrike dhe ndikon në rritjen e kostove.

Në vendim përmenden edhe çmimet e larta të importit, të ndikuara nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Masat emergjente do të jenë në fuqi për 60 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa Qeveria ka lënë të hapur mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të tjera në varësi të zhvillimit të situatës.