Pas protestave të punëtorëve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur marrëveshje me dy organizatat sindikale, SR-KEK dhe SPEK, për mbështetjen financiare të të gjithë punonjësve përmes një bonusi.
Sipas njoftimit të KEK-ut, marrëveshja është arritur pas një takimi të përbashkët mes Bordit të Drejtorëve, Menaxhmentit të Korporatës dhe përfaqësuesve të dy sindikatave.
Gjatë takimit, drejtuesit e KEK-ut kanë informuar përfaqësuesit sindikalë për sfidat aktuale me të cilat po përballet Korporata, veçanërisht në zbatimin e projekteve të modernizimit të njësive prodhuese, investimeve mjedisore dhe sigurimin e vazhdimësisë së operimeve.
Në këtë kontekst, është kërkuar mirëkuptimi dhe angazhimi i përbashkët i punonjësve për tejkalimin e këtyre sfidave.
KEK-u ka bërë të ditur se të gjitha palët janë pajtuar se operimet e Korporatës janë jetike për sigurinë energjetike të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Si rezultat i dialogut konstruktiv dhe frymës së mirëkuptimit të ndërsjellë, Bordi i Drejtorëve, Menaxhmenti i KEK-ut dhe përfaqësuesit e dy organizatave sindikale, SR-KEK dhe SPEK, kanë arritur marrëveshje për mbështetjen financiare të të gjithë punonjësve të Korporatës përmes bonusit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, palët janë dakorduar që të mobilizohen për tejkalimin e sfidave aktuale, ruajtjen e stabilitetit të prodhimit dhe realizimin e projekteve strategjike të Korporatës.
KEK-u nuk ka bërë të ditur shumën e bonusit që do të përfitojnë punonjësit.