Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një editorial në gazetën ukrainase “Kyiv Post”, përmes të cilit i ka bërë thirrje presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në shkrimin me titullin “Ukraina duhet ta njohë Kosovën”, Kurti argumenton se njohja nuk do të duhej të shihej si një favor ndaj Kosovës, por si një veprim që do ta forconte rendin ndërkombëtar, të cilin Ukraina po e mbron që nga fillimi i agresionit rus.

Kurti ka rikujtuar se në gushtin e vitit të kaluar, Zelensky kishte deklaruar në Beograd se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar.

Reklamë

Ai ka vënë në pah se, për dallim nga ky qëndrim i Ukrainës, Kosova ka mbështetur vazhdimisht shtetin ukrainas, duke dënuar agresionin rus, duke u rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, si dhe duke strehuar gazetarë ukrainas dhe duke kontribuar me ndihmë e trajnime ushtarake.

Sipas Kurtit, Kosova dhe Ukraina kanë ngjashmëri në historinë e tyre, pasi të dyja janë përballur me një fqinj që përdor pretendime historike për të justifikuar kërkesat territoriale.

Në këtë kontekst, kryeministri ka përmendur edhe mënyrën se si presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përdorur rastin e Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë dhe për të akuzuar Perëndimin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Kurti ka argumentuar se krahasimi i Kosovës me Krimenë është i pabazë, pasi rastet kanë histori dhe rrethana krejtësisht të ndryshme.

Ai ka rikujtuar represionin ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, luftën, spastrimin etnik dhe krimet e kryera nga Serbia, si dhe procesin e gjatë të negociatave ndërkombëtare që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Reklamë

Në editorial, Kurti ka përmendur edhe procesin e udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, si dhe përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë në vitin 2012.

“Kosova nuk është precedenti i Putinit”, ka shkruar Kurti, duke theksuar se e drejta ndërkombëtare nuk kërkon që raste thelbësisht të ndryshme të trajtohen si të njëjta.

Ai ka kritikuar gjithashtu Serbinë për pretendimet se pavarësia e Kosovës shkel të drejtën ndërkombëtare, ndërkohë që, sipas tij, familjet e personave të vrarë gjatë luftës vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre dhe lokacionet e varrezave masive mbeten të pazbuluara.

Kurti ka përmendur edhe vizitën e tij në Zubin Potok, ku janë zbuluar mbetje mortore në një lokacion për të cilin besohet se përmban eshtrat e civilëve të rrëmbyer dhe të zhdukur me forcë gjatë luftës.

Reklamë

Në pjesën përmbyllëse të shkrimit, kryeministri ka theksuar se njohja e Kosovës nga Ukraina do të ishte edhe një kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të Putinit për ta përdorur rastin e Kosovës në funksion të interesave të Rusisë.

“Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thoshte t’ia demaskonte Putinit bllofin. Njohja do të hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin”, ka shkruar Kurti.

Ai i ka bërë thirrje drejtpërdrejt presidentit ukrainas që ta njohë Kosovën, duke argumentuar se një vendim i tillë do ta forconte parimin se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe se shtetet e vogla nuk duhet të privohen nga e ardhmja e tyre prej shteteve më të mëdha.

“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar të cilin Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur”, ka shkruar Kurti, duke e përmbyllur editorialin me fjalët: “Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”.

Reklamë