Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, kanë kritikuar ashpër Qeverinë Kurti pasi Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë.

Ata e kanë cilësuar qeverisjen e deritanishme të Albin Kurtit, si “qeverisje të dështakëve”, duke paralajmëruar se pa ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, problemet me energjinë do të vazhdojnë edhe për së paku pesë vjet. Po ashtu, kanë paralajmëruar se së shpejti qytetarët dhe buxheti i Kosovës mund të mos jenë në gjendje t’i përballojnë faturat e energjisë elektrike, shkruan Reporteri.net.

Deputeti Avdullah Hoti, tha se ndërprerja e energjisë në Kuvend tregon se “ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve.”

Reklamë

“Miratimi i masave për energji nga ana e Kuvendit mbrëmë, në orët e vona, ndërkohë që energjia elektrike u ndërpre edhe në Kuvendin e Kosovës, tregon po ashtu ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve.
Në vend të këtij vendimi për masa në energji, do të duhej të miratohej ndonjë kredi garantuese për KEK-un për ndërtim të termocentraleve të reja, apo miratim i ndonjë projekti me partneritet për termocentrale të reja. Dështimin e qeverisjes 6-vjeçare dhe varfërinë e mendimit politik të këtyre dështakëve e tregojnë kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti vend me çmim deri në 10 vish më të lartë se kostoja e prodhimit të energjisë nga KEK-u”.

“Sikur të mos anulohej projekti Kosova e Re, sot, pas gjashtë vitesh, do të furnizoheshim nga Termocentrali Kosova e Re me çmim fiks prej 80 euro për MWh. Sikur të mos anulohej projekti i gazit, ai projekt mund të ishte në finalizim e sipër.”

Hoti tutje tha se problemet me energji do të vazhdojnë në vend dhe pasojat do t’i bartin të gjithë.

“Kjo klasë politike ka sjellë vetëm mjerim ekonomik e politik për Kosovën. Në mungesë të çfarëdo projekti për ndërtim të termocentraleve të reja, ne sot e dimë se edhe për së paku 5 vite do të kemi të njëjtat probleme me energji. Pasojat e kësaj situate po i bartim të gjithë. Bizneset tona po bëhen jokonkurruese për shkak të kostove më të larta”, ka reaguar Hoti.

Kritika të ashpra në drejtim të Qeverisë Kurti ka adresuar edhe deputetja Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se tash për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim.

Reklamë

“Pra, ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike. Po, vendimi e detyron edhe Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por kapaciteti i instaluar i tij është vetëm rreth 30 MW. Tash mendojeni vetë sa mund të përmirësohet gjendja me 30 MW”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka thënë se vendimi mbi të gjitha vlen për t’i arsyetuar reduktimet, për blerjen e energjisë elektrike, duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik e për kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK, pa procedurat e zakonshme të prokurimit.

“Mos të harrojmë, masat emergjente për furnizim me energji u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021. Gati pesë vjet më vonë, ende po qeverisin me masa emergjente. Ndërkohë: – Nuk ka kontrata afatgjata për blerje të energjisë. – Remontet kanë dështuar dhe kontratat janë lidhur shumëfish më shtrenjtë. – Strategjia e Energjisë nuk po zbatohet. – Nuk janë ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo ka thënë se për këtë situatë ka vetëm një zgjidhje: kapacitete të reja gjeneruse.

Reklamë

“Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet, shumë shpejt do të vijmë në pikën ku as qytetarët e as buxheti i Kosovës s’ka me i përballu faturat e energjisë”, ka shkruar ajo.

Çfarë parasheh vendimi për 60 ditë?

Njëra nga masat kryesore është obligimi për ndërmarrjen hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci” që të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.

Prodhimi do të bëhet sipas udhëzimeve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), i cili do të përcaktojë kohën kur energjia nga Ujmani duhet të prodhohet. Sipas vendimit, KOSTT-i do ta udhëzojë ndërmarrjen që të prodhojë energji, aq sa lejojnë mundësitë teknike, gjatë orëve të pikut, kur konsumi është më i lartë.

Reklamë

Prodhimi mund të kërkohet edhe në periudha të tjera, kur energjia nga Ujmani ndikon më së shumti në uljen e kostove të sistemit ose kur është e nevojshme për sigurinë e furnizimit. Për energjinë e prodhuar, “Ibër-Lepenci” do të kompensohet nga Furnizuesi për Shërbim Universal, sipas çmimit referent të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Një tjetër masë parasheh obligimin për të gjitha institucionet publike që të ndërmarrin veprime për kursimin dhe reduktimin e konsumit të energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, në vendimin e miratuar nuk përcaktohet një përqindje konkrete e kursimit apo një orar i detyrueshëm për kufizimin e konsumit.

Komiteti Teknik Emergjent do ta përcjellë situatën

Në kuadër të masave do të themelohet Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të krijohet dhe udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve dhe ndërmarrjeve relevante.

Reklamë

Ky komitet do të ketë për detyrë të rekomandojë masa shtesë për menaxhimin e situatës në furnizimin me energji elektrike, përfshirë edhe vendosjen e kushteve të veçanta komerciale.

Po ashtu, do të jetë përgjegjës për monitorimin e vazhdueshëm të sigurisë së furnizimit dhe do t’i raportojë Ministrisë së Ekonomisë çdo dy javë. Raportimi do të përfshijë disponueshmërinë e kapaciteteve për prodhimin e energjisë, furnizimin, kërkesën për energji elektrike dhe gjendjen e rrjetit në vend.

Vendimi parasheh gjithashtu mundësinë që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të tjera të veçanta, varësisht nga nevojat që mund të paraqiten gjatë periudhës emergjente. Kjo do të thotë se masat aktuale nuk janë domosdoshmërisht të vetmet që mund të zbatohen, pasi Komiteti Teknik Emergjent mund të propozojë veprime shtesë për përballimin e situatës.

Vendimi aktual nuk parasheh shprehimisht reduktime të detyrueshme të energjisë për amvisëritë apo bizneset, por përqendrohet në menaxhimin e prodhimit vendor, kursimin në institucionet publike dhe monitorimin e sigurisë së furnizimit.

Pse u shpallën masat emergjente?

Në arsyetimin e vendimit, Qeveria ka përmendur disa faktorë që kanë ndikuar në sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Ndër ta është mosoperimi i njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”, për shkak të punimeve për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (NOx), projekt ky i financuar dhe kontraktuar nga Bashkimi Evropian.

Qeveria ka theksuar se vonesat në këtë projekt dhe paqartësitë rreth rikthimit të njësisë në funksion kanë rritur rrezikun për furnizimin gjatë sezonit dimëror.

Një tjetër problem i përmendur është bllokimi nga Serbia i funksionalizimit komercial të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit, çka sipas Qeverisë kufizon mundësitë e importit të energjisë elektrike dhe ndikon në rritjen e kostove.

Në vendim përmenden edhe çmimet e larta të importit, të ndikuara nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Masat emergjente do të jenë në fuqi për 60 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa Qeveria ka lënë të hapur mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të tjera, në varësi të zhvillimit të situatës. /Reporteri.net/.