shtria meksikane ka arrestuar Fausto Isidro Meza-Flores, i njohur si “El Chapo Isidro”, një nga personat e kërkuar në listën e 10 më të kërkuarve të FBI-së. Arrestimi u krye në shtetin Sinaloa, me ndihmën e autoriteteve amerikane.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, operacioni u zhvillua nga forcat speciale ushtarake, të cilat përdorën elementin e befasisë për të kapur të dyshuarin. Ai akuzohet për trafikimin e sasive të mëdha të heroinës, metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marijuanës drejt SHBA-së. FBI kishte ofruar 5 milionë dollarë shpërblim për informacione që do të çonin në arrestimin e tij.
Kapja e tij shkaktoi përleshje të dhunshme mes ushtrisë dhe personave të armatosur në qytetin Guasave. Sipas autoriteteve, forcat ushtarake u sulmuan me armë zjarri dhe eksplozivë, ndërsa militantët ngritën barrikada në disa zona.
Sipas CNN, situata shkaktoi panik edhe në stadiumin Kuroda Park, ku po zhvillohej një ndeshje bejsbolli mes Venados de Mazatlán dhe Algodoneros de Guasave. Të shtënat detyruan lojtarët dhe tifozët të largoheshin me urgjencë nga fusha dhe tribunat.
Dëshmitarët raportuan për makina të armatosura në rrugë, biznese të djegura dhe spitale private të pushtuara nga persona të armatosur. Autoritetet u bënë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin lëvizjet në rrugë, ndërsa forcat e sigurisë vijuan operacionet për rikthimin e rendit.