Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësimin për djegien për herë të dytë të deponisë regjionale të mbeturinave në Sferkë të Pejës, ndërsa ka kritikuar institucionet shtetërore për neglizhimin e banorëve të kësaj zone, shkruan Reporteri.net.

Bajrami tutje ka thënë se situata ka detyruar banorët t’i mbajnë dyert dhe dritaret e mbyllura, për shkak të tymit që po përhapet nga deponia.

Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë që menjëherë ta angazhojë FSK-në, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe çdo institucion tjetër që mund të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.

Reklamë

Postimi i saj i plotë:

PËR HERË TË DYTË PO DIGJET DEPONIA NË SFERKË TË PEJËS – KU ËSHTË SHTETI?!

Ka disa ditë që deponia regjionale e mbeturinave në Sferkë të Pejës po digjet. Banorët e Sferkës, Llutogllavës, Trestenikut, Ruhotit, Nabërgjanit dhe fshatrave përreth po ngulfaten nga tymi, i cili po përhapet edhe më larg.
Njerëzit po detyrohen t’i mbajnë dyert e dritaret mbyllur. Janë tepër të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Kjo është deponi regjionale, jo vetëm e Pejës. Komuna e Pejës nuk mundet me e përballu e vetme këtë gjendje.
Banorët e Pejës janë qytetarë të këtij shteti. Edhe ata votojnë, edhe ata paguajnë taksa. Nuk janë qytetarë të dorës së dytë që shteti me i neglizhu kur kanë nevojë më së shumti.

Ku është Qeveria?

Reklamë

Ku është Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave?

Ku është Inspektorati Mjedisor?

Pse nuk po mobilizohen të gjitha kapacitetet e shtetit.

I bëj thirrje Qeverisë që menjëherë ta angazhojë FSK-në, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe çdo institucion tjetër që mund të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.

Reklamë

KJO DEPONI DUHET TË MBYLLET.

Inspektorati Mjedisor duhet të dalë menjëherë në terren, ta konstatojë shkallën e ndotjës dhe të marrë masa urgjente për ndalimin e funksionimit të deponisë, pasiqë aty nuk plotësohen asnjë nga kushtet ligjore për mbrojtjen e mjedisit.