Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, më 23 nëntor, në orën 11:00, për të shqyrtuar propozimin e rendit të ditës për seancën plenare të radhës.

Një nga pikat e parapara për shqyrtim është miratimi i buxhetit të Komisionit Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.

Kuvendi i Kosovës më 29 tetor 2026 kishte miratuar me 90 vota për formimin e këtij komisioni.

Reklamë

Që nga themelimi, Komisioni ka angazhuar tre ekspertë të fushave juridike për të ndihmuar në punën e tij, ndërsa ka nisur edhe intervistimin e personave të përzgjedhur për të dëshmuar lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.

Kryesues i Komisionit është Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa zëvendëskryesues është Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pjesë e komisionit nga LVV-ja janë edhe Armend Baloku, Adelina Tershani, Osman Musliu dhe Arjeta Rexhepi. PDK-ja përfaqësohet nga Besa Kabashi-Rama dhe Eman Rrahmani, ndërsa LDK-ja nga Doarsa Kica-Xhelili.

Në përbërje janë edhe Jovana Radosavljeviq nga Lista Serbe dhe Emilija Rexhepi nga Grupi Multietnik.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua pas dy ditësh në arrati.

Reklamë

Sipas të dhënave fillestare të Policisë, dyshohet se vdekja e saj erdhi si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.

Vetëm pak kohë para vrasjes, rreth orës 19:00 të së dielës, Arlinda Zekaj kishte raportuar në Stacionin Policor në Pejë një rast të dhunës në familje.