Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e mbajtur në Manastir, me rastin e shënimit të 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit Shqip, ka thënë se shqiptarët duhet të dijnë të bashkohen përtej dallimeve politike, fetare dhe krahinore, shkruan Reporteri.net.

Duke rikujtuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, Kurti theksoi se marrëveshja dhe kompromisi janë vlera që duhet të udhëheqin shqiptarët edhe sot, ashtu siç vepruan delegatët që arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për njësimin e alfabetit shqip.

“Megjithëse kanë kaluar 118 vjet nga ajo kohë, pyetja e Kongresit të Manastirit mbetet e njëjtë: Si të vendosim bashkë kur nuk mendojmë bash njësoj? Shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe kanë një diasporë që shtrihet nga Dallasi në Melburn. Ndahemi sipas partive, sipas krahinave, sipas brezave dhe sipas interesave. Këto dallime janë të natyrshme në çdo shoqëri të lirë. Mirëpo, rreziku nuk qëndron te dallimet, por te bindja se marrëveshja është dobësi dhe se kompromisi është një lloj tradhtie”.

Reklamë

“Atdhetarët e 1908-tës lanë një mësim të thjeshtë për ne, që ne do të duhej ta kishim ndërmend sa herë që duam ta arrijmë një synim bashkë me të tjerët. Marrëveshja nuk kërkon që të zhduken të gjitha dallimet, por kërkon që të vendosim mbi to diçka më të madhe se secili prej nesh veçmas. Për ta, natyrisht, kjo ishte Gjuha Shqipe, thelbi i qenies sonë kombëtare. Është e ditur se ata në të shkuarën kishin më pak liri se ne dhe më shumë arsye për t’u përçarë. Megjithatë, u ulën në një tryezë dhe dolën me një vendim. Ia vlen ta pyesim veten nëse ne, megjithë lirinë që gëzojmë, kemi të drejtë të bëjmë më pak se ata”.

“Duke menduar a thua se çka do të mendonin Rilindasit tanë sot dhe duke qëndruar e duke punuar bashkë, sigurisht që do t’ia dalim. E ardhmja jonë është e shkruar në gjuhën e bukur shqipe”, ka deklaruar Kurti, shkruan Reporteri.net.

Postimi i tij i plotë:

Fjala ime e plotë në Manastir sonte, në shënimin e 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit:

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi,

Reklamë

I nderuari nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Ardian Gola,

I nderuari z. Bekim Sali, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane,

I nderuari z. Agon Ferati, ministër i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive dhe nikoqir i kësaj mbrëmjeje të jashtëzakonshme këtu,

I nderuari z. Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit nga Republika e Shqipërisë,

Reklamë

Të nderuar kryetarë të komunave të Çairit dhe Tetovës, bashkëkryetarë të VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami,
I nderuari z. Florian Qehaja, ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut,

Kemi një grup të madh parlamentar këtu sonte bashkë, rreth 25 gjithsej nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. I përshëndes që të gjithë.

Të nderuar ministra, zëvendësministra, zyrtarë shteti të të dy Republikave tona, por edhe të Republikës së Shqipërisë, pastaj gjithandej ku jetojnë shqiptarët në Ballkan. Por, në veçanti të dashur bashkatdhetarë, që keni bërë rrugën e largët për t’u kthyer në vendlindjen tuaj, në Manastirin tonë, përshëndetje e përzemërt të gjithë juve.

Në një ditë si kjo, para 118 vitesh, pra më 22 nëntor 1908, në Manastir, rreth 50 delegatë, në mes tyre e vetmja grua, Parashqevi Qiriazi, morën një vendim me të cilin shumica e tyre nuk pajtohej krejtësisht. Pikërisht për këtë arsye, ai vendim zgjati dhe u shoqërua me debate të zjarrta.

Reklamë

Kjo kishte arsyet e veta, ngaqë të gjithë delegatët e Kongresit vinin nga botë që jashtë sallës shpesh ishin në kundërshtim me njëra-tjetrën. Kishte myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, kishte gegë e toskë, bejlerë e tregtarë, klerikë e laikë, luftëtarë e nëpunës. Erdhën nga të katër vilajetet e asaj kohe, erdhën nga Rumania, Bullgaria, Egjipti, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë prej tyre sillnin me vete edhe idetë, edhe bindjet, edhe shkronjat e veta.

Shqipja përgjatë historisë qe shkruar me alfabet latin, grek dhe arab. Pra, me shkrimet e tri qytetërimeve që për shekuj ishin ndeshur nëpër fusha betejash. Në gadishullin tonë, këto shkronja shënonin kufij mes kishash, mes perandorish dhe mes kombesh. Por, në gjuhën shqipe ato kishin shërbyer për një qëllim të vetëm, që një komb të fliste e të merrej vesh mes veti.

Dhe kjo, patjetër, është mrekullia e vogël e historisë sonë. Ata faktorë që në botë sjellin ndasi, te ne shpesh gjejnë harmoni. Dialekti nuk u bë kufi shtetëror, ndërsa alfabeti që te të tjerët ishte flamur përçarjeje, te ne u kthye e u bë tryezë bisedimi dhe faktor bashkimi. Feja nuk u bë kufi kombëtar, sepse, siç shkruante pak javë më vonë gazeta “Kombi” e Bostonit, “fjala shqipëtar ajo vetvetiu përmbledh të tëra fetë”.

Tashmë dihet se Kongresi nuk ia doli të zgjidhte gjithçka. Komisioni prej 11 vetash i kryesuar nga Gjergj Fishta, nuk arriti të caktonte një alfabet të vetëm. Vendosi të pranonte dy. Atë të Stambollit dhe një ABC thjesht latine, si një përpjekje që Kongresi të mos dështonte në misionin e tij. Vetë Kongresi e quajti këtë hap kthim prapa. Megjithatë, ishte kthimi prapa më largpamës i historisë sonë. Delegatët zgjodhën të mos dilnin pa një vendim, edhe pse asnjëri nuk fitoj plotësisht.

Reklamë

Pas dhjetë vjetësh, jeta vetë e përfundoi punën dhe ABC-ja latine e Kongresit, e mbështetur në atë të Klubit “Bashkimi” të Shkodrës, u bë alfabeti i të gjithë shqiptarëve. Por është mirë të vihet në dukje edhe një fakt. Sipas historianëve, Kongresi nuk ishte vetëm gjuhësor, ngaqë aty u formuluan edhe kërkesat politike për njohjen e kombësisë dhe të gjuhës shqipe. Dhe vërtet shkronjat dhe shteti ecën bashkë. Katër vjet më vonë, në Vlorë u shpall Pavarësia.

Megjithëse kanë kaluar 118 vjet nga ajo kohë, pyetja e Kongresit të Manastirit mbetet e njëjtë: Si të vendosim bashkë kur nuk mendojmë bash njësoj? Shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe kanë një diasporë që shtrihet nga Dallasi në Melburn. Ndahemi sipas partive, sipas krahinave, sipas brezave dhe sipas interesave. Këto dallime janë të natyrshme në çdo shoqëri të lirë. Mirëpo, rreziku nuk qëndron te dallimet, por te bindja se marrëveshja është dobësi dhe se kompromisi është një lloj tradhtie.

Atdhetarët e 1908-tës lanë një mësim të thjeshtë për ne, që ne do të duhej ta kishim ndërmend sa herë që duam ta arrijmë një synim bashkë me të tjerët. Marrëveshja nuk kërkon që të zhduken të gjitha dallimet, por kërkon që të vendosim mbi to diçka më të madhe se secili prej nesh veçmas. Për ta, natyrisht, kjo ishte Gjuha Shqipe, thelbi i qenies sonë kombëtare. Është e ditur se ata në të shkuarën kishin më pak liri se ne dhe më shumë arsye për t’u përçarë. Megjithatë, u ulën në një tryezë dhe dolën me një vendim. Ia vlen ta pyesim veten nëse ne, megjithë lirinë që gëzojmë, kemi të drejtë të bëjmë më pak se ata.

Të nderuar të pranishëm, pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor,

Sot kemi sfida të paimagjinueshme më parë. Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, përfshirë robotikën dhe inteligjencën artificiale, ka sjellë shumë fjalë, togfjalësha e fraza të reja në bisedat që bëjmë dhe në mendimet që i shkruajmë. Është detyrë e akademive dhe universiteteve tona, e ministrive të arsimit dhe instituteve të gjuhës që të bëjnë përkthime e shqipërime të duhura e të përshtatshme, përndryshe rrezikojmë që përherë e më shumë të ndërfuten në diskursin shoqëror e në diskutimin publik fjalët e huaja, por si citate, në kurriz e në llogari të shqipes sonë.

Shqiptarët ia kanë borxh këtë gjuhës së tyre, ngaqë ruajtja dhe mbrojtja më e mirë dhe më e suksesshme e gjuhës shqipe është pikërisht zgjerimi dhe përparimi i saj me fjalë e shprehje të reja për këto kohë të reja e kaq të shpejta të shekullit XXI.

Duke menduar a thua se çka do të mendonin Rilindasit tanë sot dhe duke qëndruar e duke punuar bashkë, sigurisht që do t’ia dalim.

E ardhmja jonë është e shkruar në gjuhën e bukur shqipe.

Lavdi atdhetarëve të Manastirit e gëzuar 118-vjetori i Kongresit!