I liruar nga qelia vetëm 20 ditë më parë, Selami Hasani është gjetur i vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij në lagjen “1 Maji” në Fier ndërsa i plagosur ka mbetur nipi i tij.
Dyshohet se shkak për vrasjen e Hasanit, i njohur ndryshe si Sel Çami alias Seli i malit, të jetë bërë hasmëria me Arben Isufajn, i njohur ndryshe si Ben Qimja, një person me precedentë të theksuar penal, raporton gazetarja e Klan News Anila Sefa.
Policia e Fierit është vënë në ndjekje të autorëve ndërsa një automjet i djegur është gjetur në fshatin Dermenas i dyshuar se u përket vrasësve.
Viktima ishte dënuar për vrasjen e Julian Isufaj, nipi i Ben Qimes, ngjarje e ndodhur më 25 mars 2002 pranë “Sheshit të Valutës” në Fier. Por dyshohet se hasmëria mes familjeve Isufaj dhe Hasani të ketë nisur vite më përpara.
Selami Hasani u arrestua pas 7 vitesh në kërkim në banesën e tij ku iu gjetën dhe iu sekuestruan dy pistoleta. Pas rreth 11 vitesh të vuajtura nga dënimi prej 25 vitesh, ai u lirua me leje fillimisht në vitin 2022 ndërsa e kreu plotësisht dënimin këtë nëntor kur dhe u la i lirë.
Por, kush është “Ben Qimja” dhe hasmëria me Selami Hasanin
Gjithçka nisi pas vrasjes së babait të tij, Enver Isufajt në vitin 1994. Kur “Ben Qimja” ishte ende vetëm 19-vjeçar, ai u përfshi në një përplasje me Pirro Koçiun dhe dy kushërinjtë e këtij të fundit, mbiemri i të cilëve ishte Yzeiraj. Këto të fundit konsideroheshin njerëz të afërt të Selami Hasanit.
Pikërisht për të ulur gjakrat e këtij konflikti, ndërhyri edhe babai i “Ben Qimes”, Enver Isufaj, i cili u vra pak më vonë në një bilardo, në zonën e Sheqit të Fierit. Në vrasjen e Isufajt, kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, ky i fundit është vëllai i Sel “Çamit”, personit të vrarë ditën e sotme në Fier.
Kjo ngjarje ndryshoi edhe jetën e “Ben Qimes”, duke u kthyer në nja nga emrat më të spikatur në botën e krimit në Fier, e jo vetëm. Disa vite pas vrasjes së babait të tij Enver Isufaj, në vitin 2002 një tjetër ngjarje tronditi “Ben Qimen”.
Selami Hasani i vrau me armë zjarri nipin Julian Isufaj, i cili udhëtonte me një makinë tip “Fuoristradë”. Në makinë me nipin e “Ben Qimes”, ndodheshin edhe Esat Taze, i cili mbeti i vdekur, ndërsa u plagosën dy persona të tjerë, Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj. Pas kësaj vrasje, “telenovela” e krimit nuk mori fund këtu, teksa më 12 gusht të vitit 2002, mbeti i vrarë në oborrin e një pallati në Tiranë, Pirro Koçiu, personi me të cilin “Ben Qimja” pati edhe konfliktin e parë, që çoi në vrasjen e babait të tij, Enver Isufajt.
Asokohe, dosja u hetua, por pa rezultat, duke detyruar prokurorët që dosja të arkivohej pa autor. Por më vonë, gjurmët e gishtërinjve “tradhtuan” Ben Qimen, pasi ato iu gjetën në një pistoletë “Zastava”, e cila dyshohet se i përkiste pikërisht “të fortit të Fierit”. Kështu, hetimi u rihap dhe Ben Qimja përfundoi pas hekurave si i dyshuar. Aktualisht Arben Isufaj është i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Beratit.
Policia ka ngritur postblloqe në hyrje të qytetit të Vlorës për verifikimin e automjeteve dhe personave që hyjnë në qytet për lidhje të mundshme me ngjarjen në Fier si dhe për kapjen e autorëve
Nëndrejtori i Policisë së Fierit: Viktima po punonte në oborr kur u qëllua për vdekje
Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alket Ahmetaj për mediat bëri të ditur se policia u njoftua rreth orës 09:50 për të shtënat. Hasani është qëlluar për vdekje në oborrin e shtëpisë teksa ishte duke punuar pranë murit rrethues. Po aty është plagosur dhe nipi i tij.
“Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës, i cili po punonte aty. Në të njëjtin vend është plagosur edhe nipi i tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e veprës penale. Mund t’ju them se viktima ka qenë duke punuar në murin rrethues të banesës së tij. Aty ka ndodhur ngjarja. Po kryhet këqyrja e vendit të ngjarjes dhe po merren pamjet e kamerave. Për momentin, po kryhen veprimet e para hetimore. Do t’ju informojmë për zhvillimet”, tha Ahmetaj.