Samuel Krasniqi po kalon një sezon mbresëlënës me Grasshopperin në Superligën e Zvicrës, ku është shndërruar në njërin prej futbollistëve më të qëndrueshëm të kampionatit.

Sulmuesi i krahut nuk ka munguar në asnjë minutë të 14 xhirove të para të sezonit 2026/27, duke u bërë futbollisti i vetëm U21 i Grasshopperit që ka regjistruar një statistikë të tillë.

21-vjeçari është njëri prej shembujve më të mirë të besimit që klubet zvicerane po tregojnë ndaj futbollistëve të rinj. Grasshopper është klubi i dytë në Superligë për nga minutat e dhëna lojtarëve nën moshën 21-vjeçare, me gjithsej 2 mijë e 599 minuta të regjistruara nga shtatë futbollistë.

Reklamë

Vetëm rivali lokal, FC Zurich, ka bërë më shumë në këtë drejtim, duke u dhënë nëntë futbollistëve të rinj gjithsej 4.175 minuta. Krahasuar me sezonin e kaluar, Grasshopper ka shënuar rritje të dukshme, pasi në të njëjtën periudhë kishte regjistruar 1 mijë e 566 minuta nga futbollistët U21.

Reklamë

Në përgjithësi, futbollistët e rinj po marrin dukshëm më shumë hapësirë këtë sezon. Pas 14 xhirove, 52 lojtarë të kësaj grupmoshe kanë regjistruar gjithsej 16 mijë e 90 minuta në kampionat.

Në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, 39 futbollistë kishin grumbulluar 10 mijë e 432 minuta. Kjo paraqet një rritje prej mbi 5 mijë e 600 minutash, apo rreth 54 për qind.

Pas Grasshopperit dhe FC Zurichut, në këtë renditje vijnë Luzerni me 2 mijë e 401 minuta, Vaduz me 1 mijë e 696 dhe St. Galleni me 1 mijë e 499 minuta.

Në anën tjetër, dy skuadrat që aktualisht kryesojnë kampionatin, Young Boys dhe Lugano, janë në fund të kësaj renditjeje. Young Boys u ka dhënë vetëm 92 minuta dy futbollistëve U21, ndërsa Lugano ka regjistruar vetëm 10 minuta nga një lojtar i kësaj grupmoshe.

Reklamë

Kështu, Krasniqi vazhdon të jetë një prej emrave që po spikasin në kampionatin zviceran, ndërsa vazhdimësia e tij në formacionin e Grasshopperit e veçon në mesin e talenteve të rinj të Superligës.