Në këtë shtyllë të mbuluar me reklama, që gjendet tek rruga Muharrem Fejza në Prishtinë, ndodhet edhe tablloja në të cilën shkruan “Kerem Lëton”, e cila simbolizon fillimin e një rruge me emrin e një personi jo shumë të njohur, madje edhe për vetë banorët e lagjes. Megjithatë, në atë tabllo duhej të shkruante “Kerem Lawton”, emri i gazetarit britanik i cili tragjikisht humbi jetën duke raportuar për konfliktin e Maqedonisë në vitin 2001. Edhe pse emri i tij sot gjendet në një rrugë të Prishtinës, shumë njerëz vazhdojnë të mos e dinë historinë që qëndron pas tij madje edhe nga vet banorët.

Shumica prej banorëve nuk kishin informacion se kush kishte qenë Kerem Lawtoni dhe nuk e dinin historinë që fshihet pas emrit të rrugës. Për shembull, një banor kishte informacion se Keremi kishte vdekur tragjikisht duke raportuar për konfliktin e Maqedonisë, por mendonte se ai kishte qenë ushtar dhe jo gazetar. Dy banorë të cilët po pinin kafe pranë një lokali aty afër nuk dinin asgjë për Keremin emrin e të cilit e mban rruga. Madje, më thanë se për më shumë informacion duhej pyetur shankisti i kafesë, të cilin e thërrisnin “Baba”. Nuk ishte e qartë nëse mendonin se ai kishte lidhje me Keremin apo thjesht e konsideronin si personin që dinte më shumë për lagjen. Por edhe vetë shankisti, nuk kishte asnjë informacion për Kerem Lawtonin.

Hyrja e rrugës nis nga segmenti i lidhur me rrugën “Muharrem Fejza”. Ku prej fillimit deri në fundë rruga është e shtruar me kubëza betoni. Përgjatë shtrirjes së saj, rruga kalon pranë objekteve të ndryshme që përfshijnë ndërtesa të reja shumëkatëshe, shtëpi private, si dhe objekte në proces ndërtimi apo të lëna në gjysmë. Në pjesë të caktuara vërehen pika të grumbullimit të mbeturinave, hapësira të gjelbëruara private, dhe rrethoja oborresh. Rruga përfundon në një zonë të paasfaltuar dhe të pashtruar, e cila kthehet në një rrugë dheu e gurësh. Ky segment final shërben si fundi i rrugës pa dalje, ku shihen mbetje të materialeve ndërtimore, një rrejohe mbrojtëse metalike anësore dhe pamje drejt zonave të tjera në ndërtim e sipër.

Reklamë

Babai i Keremit kishte qenë me origjinë nga Londra, qyteti ku edhe vetë Keremi ishte rritur dhe shkolluar, ndërsa e ëma e tij ishte me origjinë nga Turqia. Edhe babai i tij kishte ushtruar profesionin e gazetarit, profesion të cilin më vonë do ta ndiqte edhe vetë Keremi. Në atë kohë, Keremi mbante pozitën e shefit të zyrës së Associated Press në Stamboll dhe kishte ardhur nga Stambolli për t’iu bashkuar stafit të Associated Press në Prishtinë. Qëllimi i ardhjes së tij ishte që të këshillonte dhe ndihmonte stafin gjatë raportimit për konfliktin e Maqedonisë, i cili në atë periudhë po përcillej me interes të madh mediatik. Gjatë vizitës së parë në Prishtinë, Keremi kishte qëndruar vetëm një muaj dhe më pas ishte kthyer sërish në Stamboll.

Megjithatë, ai ishte rikthyer edhe një herë tjetër në Prishtinë dhe pikërisht gjatë vizitës së dytë ishte dashuruar me një vajzë e cila aso kohe punonte në zyrën e Associated Press në Prishtinë. Më vonë ata ishin martuar dhe kishin organizuar një dasmë të vogël dhe të thjeshtë. Që nga ajo kohë, Keremi filloi të qëndronte më shumë në Prishtinë sesa në Stamboll, duke kaluar një pjesë të madhe të kohës së tij në qytetin me të cilin tashmë ishte lidhur jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht.

Për vdekjen e tij rrëfen Sylejman Kllokoqi, i cili në atë kohë ishte pjesëtar i stafit të zyrës së Associated Press në Prishtinë dhe një nga personat që kishte kaluar kohë të konsiderueshme me Keremin gjatë asaj periudhe.

Një ditë kishin dëgjuar se disa trupa nga Podujeva po lëviznin në drejtim të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë. Edhe pse Keremi dhe Sylejmani ishin nisur pas tyre, trupat nga Podujeva ishin ndalur diku në Ferizaj. Megjithatë, ata kishin vendosur ta vazhdonin rrugën drejt kufirit, duke vazhduar udhëtimin në një situatë të pasigurt dhe të tensionuar.

Reklamë

“Kur shkuam te kufiri, më kujtohet si sot kur filluan disa tenke. Ishim unë dhe Keremi, ishim bashkë në veturë; ai si producent, ndërsa unë si operator kameraman. Kur mbërritëm atje pamë se në kufi kishte më shumë amerikanë dhe polakë, të cilët ishin bashkë në kuadër të ushtarëve të KFOR-it. Kur arritëm aty, pamë që polakët po largoheshin prej atij fshati. Fshati ishte rreth tre kilometra brenda territorit të Kosovës”, rrëfen Sylejman Kllokoqi.

Kështu, Sylejmani e kujton fillimin e ngjarjes. Fshati për të cilin ai po fliste ishte fshati Dëbëllde.

“Kur mbërritëm në fshat, u mblodhën fshatarët dhe i pyeta se çfarë po ndodhte këtu. Njëri prej tyre tha se sapo kishte rënë një bombë afër shkollës, por për fat nxënësit i kishin liruar më herët.”

“Unë i thashë Keremit: ‘Kerem, ta marr kamerën ta incizoj vendin ku ka rënë bomba’. E mora kamerën, ndërsa ai tha se do ta parkonte veturën. I bëra ndoshta dhjetë hapa dhe në atë moment ra bomba, aty ku i mbyti tre veta dhe i plagosi edhe disa të tjerë. Numri i saktë nuk më kujtohet”

Reklamë

Në këtë ngjarje tragjike nuk humbi jetën vetëm Kerem Lawton, por edhe dy persona të tjerë civilë, të cilët mbetën viktima të shpërthimit që ndodhi në fshatin Dëbëllde. Sipas një raporti të asaj kohe, të vrarë në atë sulm mbetën edhe Ilaz Thaçi, 33 vjeç i cili ishte mësues dhe Baki Krasniqi, 19 vjeç.

“Në atë moment fillova të bërtisja: ‘Kerem, Kerem’, sepse ishte ngritur një pluhur i madh. U afrova te vetura dhe pashë se Keremi nuk kishte arritur as ta lëvizte veturën. Kur kishte rënë bomba, ai kishte qenë brenda në veturë, duke dhënë, siç thonë, ‘shenjat e fundit ndoshta të jetës’.”

Ky ishte momenti tragjik ku u vendos fati i Keremit.

“Më erdhi një fshatar aty dhe më ndihmoi ta hipnim në veturën e tij dhe u nisëm për në Han të Elezit, sepse ishte më afër. Gjatë rrugës na ndali një patrullë, e cila kishte një checkpoint, një stacion polako-amerikan. Ata e morën Keremin për t’i dhënë ndihmën e shpejtë dhe e dërguan për në Viti, e prej Vitisë në Bondsteel”, rrëfen Sylejmani.

Reklamë

Edhe pse në ato momente ngjarja dukej se po shkonte drejt një shprese për mbijetesë, fjalët pasuese të Sylejmanit tregojnë fundin tragjik të gjithë ngjarjes:

“Edhe rrugës ka ndërruar jetë Keremi”. Ky ishte fundi tragjik i gazetarit britanik, i cili kishte ardhur për të ndihmuar, këshilluar dhe raportuar mbi konfliktin në Maqedoni. Pas kësaj, Sylejmani tregon se Keremin e kishin dërguar me një aeroplan special në Londër për varrimin e tij.

Kjo ngjarje kishte ndodhur më 29 mars të vitit 2001, kur Keremi ishte vetëm 30 vjeç. Menjëherë pas vdekjes së tij, të nesërmen kishte raportuar gazeta britanike The Guardian, raport ky i cili tregonte edhe rrezikun me të cilin përballeshin gazetarët që raportonin nga zonat e konfliktit.

Në Prishtinë, një nga gjurmët më të dukshme të emrit të Kerem Lawtonit mbetet rruga lidhse me rrugën Muharrem Fejza, ku një tabelë e vendosur në shtyllë shënon emrin e tij. Megjithatë, ajo që bie në sy është se emri shfaqet i deformuar ose i keqshkruar si “Kerem Lëton”, Kjo rrugë, e ndërtuar dhe e emërtuar nga institucionet komunale të Prishtinës, synon të nderojë Keremin që ka humbur jetën në konflikti e Maqedonis, por në praktikë shpesh mbetet vetëm një shenjë formale në hartë, pa ndikim në kujtesën e përditshme të qytetarëve.

Reklamë

Në një nivel më të gjerë të përkujtimit, figura e Kerem Lawtonit nuk kufizohet vetëm në Prishtinë. Në komuën e Vitisë, është ngritur një memorial përkujtimor, i realizuar në bashkëpunim me Komunën e Vitisë dhe organizata të gazetarëve, si pjesë e përpjekjeve për të dokumentuar dhe nderuar gazetarët e rënë gjatë raportimit nga konfliktet. Sipas raportimeve të ndryshme, ky memorial është vendosur si një shenjë përkujtimore pranë zonës ku ndodhi ngjarja tragjike, duke u shndërruar në një pikë simbolike ku çdo vit bëhen homazhe në kujtim të tij dhe të viktimave të tjera të asaj dite.

Përveç këtij memoriali lokal, përkujtimi i Lawtonit merr formë edhe në nivel institucional dhe ndërkombëtar. Çdo vit, më 3 maj në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit emri i tij përfshihet në aktivitetet përkujtimore të organizuara nga komuniteti i gazetarëve dhe institucionet mediatike në Kosovë, ku nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Në këto raste, ai përmendet si pjesë e listës së gazetarëve ndërkombëtarë që u vranë gjatë raportimit nga zona të konfliktit, duke e vendosur historinë e tij në një kontekst më të gjerë të rrezikut dhe sakrificës profesionale

Megjithatë, ajo që bie në kontrast të fortë është fakti se, pavarësisht rrugës në Prishtinë, memorialit në vendin e ngjarjes dhe përkujtimit të përvitshëm më 3 maj, figura e tij mbetet relativisht e panjohur për publikun e gjerë. Kjo krijon një hendek mes kujtesës institucionale dhe asaj shoqërore: një emër i skalitur në tabela rrugësh dhe pllaka përkujtimore, por një histori që nuk ka hyrë mjaftueshëm në ndërgjegjen e përditshme të banorëve që kalojnë pranë tyre çdo ditë.

Pavarësisht vdekjes së tij tragjike më 29 mars 2001, rrethanat e plota të ngjarjes nuk janë zbardhur asnjëherë. Deri më sot nuk është bërë publik ndonjë hetim i plotë dhe i pavarur që do të
hidhte dritë mbi rrethanat dhe përgjegjësitë që çuan në vdekjen e tij dhe të dy civilëve të tjerë në fshatin Dëbëllde.

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy dekada nga vdekja e Kerem Lawtonit, rrethanat e plota të ngjarjes nuk janë sqaruar asnjëherë. Deri më sot nuk dihet nëse është zhvilluar ndonjë hetim i plotë për të zbardhur rastin që i mori jetën gazetarit britanik dhe dy civilëve të tjerë në fshatin Dëbëllde.