Tre persona janë arrestuar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash. Gjatë aksionit janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë dhe pasuri të tjera, vlera e të cilave, sipas autoriteteve, tejkalon një milion euro.

Operacioni policor është zhvilluar të mërkurën, më 25 nëntor, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në aksion kanë marrë pjesë hetuesit e Policisë së Kosovës nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të mbështetur nga njësi të tjera hetuese, Njësitë Speciale FIT dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Reklamë

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, tre personat janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”.

Dyshohen se mashtruan shtetas të huaj përmes platformave të rreme të investimit

Nga hetimet e deritanishme, sipas autoriteteve, ekziston dyshimi i bazuar se të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj.

Ata dyshohet se i kanë vënë në lajthitje këta persona dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke i shtyrë të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre.

“Tre personat e arrestuar, përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Reklamë

Sekuestrohen 19 vetura dhe pasuri të tjera

Gjatë kontrolleve në katër lokacionet, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të provave materiale dhe pasurive.

Në mesin e gjërave të sekuestruara janë:

19 vetura;

Reklamë

Një motoçikletë;

Gjashtë telefona;

Pesë kompjuterë;

Gjashtë USB;

Reklamë

4 mijë e 95 euro para të gatshme;

11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike;

Dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Vlera e pasurisë së sekuestruar, sipas njoftimit, është mbi një milion euro.

Reklamë

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”, thuhet në komunikatë.