Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka theksuar unitetin politik dhe institucional për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një arritje me peshë historike.
Në një konferencë për media, Çitaku ka bërë të ditur se është përgatitur një iniciativë e re ligjore për Dhomat e Specializuara, e cila së shpejti do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka njoftuar gjithashtu se është miratuar strategjia për mbrojtjen e çlirimtarëve në fazën e Apelit.
“Për mua ky unitet ka peshë historike, sepse përtej dallimeve tona politike kemi arritur të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët për një çështje e cila i tejkalon interesat e secilës parti”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka bërë të ditur se para procedimit të iniciativës në Kuvend do të takojë drejtuesit e partive politike.