Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e 14-të elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime, përfshirë ndryshime në Programin e Projektligjeve për vitet 2026-2028 dhe ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve për paga e shtesa gjatë muajit nëntor.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e drejtorit ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës.

Po ashtu, është miratuar emërimi i Komisionit të Pranimit për pozitën e Komisionerit për Gjuhët në Zyrën e Kryeministrit, si dhe për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

Reklamë

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për korrigjimin e vendimit të Qeverisë nr. 10/12, të datës 17 nëntor 2026.

Në njoftim thuhet se Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore “me qëllim të mbulimit të mungesës së mjeteve financiare për muajin nëntor 2026, në kategorinë e shpenzimeve për paga dhe shtesa”.

Këto janë vendimet e miratuara në mbledhjen e 14-të elektronike të Qeverisë, të mbajtur më 25 nëntor 2026, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.