Pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përballur me stuhi të fuqishme, duke shkaktuar anulime fluturimesh, përmbytje bregdetare dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Si pasojë e motit, është shtyrë edhe Parada e Ditës së Falënderimeve të Macy’s.

Erërat e forta dhe përmbytjet goditën të dy brigjet e vendit, duke vështirësuar udhëtimet gjatë festave.

Reklamë

Sipas ueb-faqes për përcjelljen e ndërprerjeve të energjisë elektrike, poweroutage.us, të enjten pasdite më shumë se 800 mijë shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike, ku shumica e ndërprerjeve u regjistruan në shtetet e Bregut Lindor, shkruan agjencia amerikane e lajmeve The Associated Press.

Deri në mesditen e së enjtes, 1 mijë e 700 fluturime drejt ose nga destinacionet në ShBA ishin vonuar, ndërsa më shumë se 400 të tjera ishin anuluar, sipas shërbimit të përcjelljes së fluturimeve FlightAware.

Macy’s e shtyu paradën e përvitshme të Ditës së Falënderimeve deri të shtunën, për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë e balonave gjigante që përdoren në paradë, në kushtet e erërave të forta mes ndërtesave të larta të Manhatanit.

I gjithë shteti i Nju Xhersit ishte nën gjendje të jashtëzakonshme, të shpallur të mërkurën në mbrëmje nga guvernatorja Mikie Sherrill. Gjendje e jashtëzakonshme ishte shpallur edhe në disa pjesë të Nju Jorkut, pas një vendimi të guvernatores Kathy Hochul.

Shërbimi Meteorologjik kishte lëshuar paralajmërime për erëra të forta nga veriu i Xhorxhias, në pjesën më të madhe të rajonit të Atlantikut të Mesëm, deri në jug të Nju-Inglendit.

Reklamë

Stuhia përmbyti fshatra dhe qytete bregdetare nga Karolina e Veriut deri në Nju Xhersi, teksa batica e lartë mbërriti të enjten në mëngjes. Rrugët u mbyllën, ndërsa ekipet e emergjencës shpëtuan persona të mbetur të bllokuar në vetura të rrethuara nga uji.

Gjithashtu, stuhia shkaktoi edhe mbylljen e përkohshme të disa autostradave dhe urave bregdetare.

Në Merilend, afro dy milionë konsumatorë në qarqet Montgomery dhe Prince George’s u këshilluan ta kufizonin përdorimin e ujit, për shkak të ndërprerjeve të herëpashershme të energjisë elektrike të shkaktuara nga stuhia.

Stuhitë shkaktuan gjithashtu disa paralajmërime të shkurtra për tornado të enjten, përfshirë edhe një tornado të rrallë në juglindje të qytetit Seattle, në shtetin e Uashingtonit.

Reklamë