Për çfarë profesionesh duhet t’i përgatisim fëmijët tanë në një botë ku inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si punojmë, mësojmë dhe jetojmë?

Kjo po bëhet një nga dilemat më të mëdha për prindërit. Një profesion që sot konsiderohet i sigurt dhe i paguar mirë mund të pësojë ndryshime rrënjësore deri në kohën kur fëmijët e sotëm të hyjnë në tregun e punës.

Në librin e tij të ri, “What Should My Children Do? A Human’s Guide to the Age of AI” (Çfarë duhet të bëjnë fëmijët e mi? Një udhëzues njerëzor për epokën e inteligjencës artificiale), profesori Daniel Susskind trajton pikërisht këtë dilemë.

Reklamë

Në një intervistë për CNN, profesori i Gresham College në Londër argumenton se përgjigjja nuk qëndron domosdoshmërisht në identifikimin e profesioneve që inteligjenca artificiale nuk do të mund t’i zëvendësojë, por në përgatitjen e fëmijëve për një të ardhme që ende nuk jemi në gjendje ta parashikojmë.

A duhet të mësojnë fëmijët programim apo matematikë?

Për vite me radhë, programimi është promovuar si një nga aftësitë që do t’u siguronte të rinjve një të ardhme të qëndrueshme profesionale. Por përparimet e inteligjencës artificiale në shkrimin e kodit kompjuterik tregojnë se edhe aftësitë teknologjike mund të preken nga automatizimi.

Kjo nuk do të thotë se programimi ka humbur vlerën e tij. Megjithatë, një fëmijë që mëson vetëm një teknologji të caktuar, pa zhvilluar aftësinë për të kuptuar parimet mbi të cilat ajo funksionon, mund ta ketë më të vështirë të përshtatet kur teknologjia ndryshon.

Në këtë kuptim, sfida për prindërit nuk është të gjejnë një profesion që do t’i mbijetojë çdo zhvillimi teknologjik, por t’i ndihmojnë fëmijët të ndërtojnë një bazë njohurish mbi të cilën mund të zhvillojnë aftësi të reja gjatë gjithë jetës.

Reklamë

Aftësitë themelore bëhen edhe më të rëndësishme në epokën e AI-së

Susskind rekomandon që arsimi të përqendrohet në zotërimin e gjuhës, matematikës dhe të menduarit kritik.

Në pamje të parë, ky rekomandim mund të duket paradoksal. Pse duhet t’i kushtojmë kaq shumë rëndësi matematikës kur kompjuterët mund të kryejnë llogaritje shumë më shpejt se njerëzit? Pse duhet të mësojmë të shkruajmë mirë kur inteligjenca artificiale mund të gjenerojë tekste brenda pak sekondash?

Pikërisht sepse përdorimi i këtyre teknologjive kërkon aftësinë për të vlerësuar rezultatet që ato prodhojnë.

Reklamë

Një nxënës që nuk e kupton një problem matematikor mund ta marrë përgjigjen nga inteligjenca artificiale, por mund të mos jetë në gjendje të kuptojë nëse ajo përgjigje është e gabuar.

E njëjta gjë vlen edhe për informacionin historik, shkencor apo ekonomik. Aftësia për të lexuar, për të kuptuar një argument dhe për të dalluar faktet nga pretendimet nuk bëhet më pak e rëndësishme vetëm sepse një makineri mund të prodhojë informacion.

Fëmijët duhet të mësojnë me inteligjencën artificiale, por edhe pa të

Një nga propozimet e Susskindit është që rreth një e treta e kohës së arsimimit t’i kushtohet përdorimit efektiv dhe kritik të inteligjencës artificiale.

Reklamë

Ai propozon një qasje të dyfishtë: nxënësit duhet të mësojnë dhe të vlerësohen si me ndihmën e teknologjisë, ashtu edhe pa të.

Në një orë mësimore të historisë, për shembull, inteligjenca artificiale mund të përdoret për të krahasuar ngjarje nga periudha të ndryshme, për të eksploruar këndvështrime alternative apo për të ndihmuar në organizimin e informacionit.

Por nxënësi duhet të jetë gjithashtu në gjendje të analizojë vetë një dokument historik dhe të argumentojë përfundimet e tij.

Në matematikë, teknologjia mund t’i mundësojë një fëmije të eksplorojë probleme më komplekse sesa ato që do të mund të zgjidhte zakonisht. Megjithatë, ai duhet të vazhdojë të ushtrojë edhe aftësinë për të llogaritur dhe arsyetuar në mënyrë të pavarur.

Reklamë

Qëllimi nuk duhet të jetë që fëmija të konkurrojë me inteligjencën artificiale në shpejtësinë e kryerjes së një detyre, por të zhvillojë aftësinë për ta përdorur atë pa humbur pavarësinë intelektuale.

Fëmijët duhet të mësojnë edhe kur të mos e përdorin inteligjencën artificiale

Një shqetësim tjetër që ngre profesori është ndikimi i teknologjisë në përqendrim. Sipas tij, edukimi për inteligjencën artificiale duhet të përfshijë edhe aftësinë për t’u shkëputur prej saj.

Nëse një fëmijë mësohet që për çdo pyetje t’i drejtohet menjëherë një aplikacioni, ai mund të humbasë mundësinë për të ushtruar durimin, kureshtjen dhe përpjekjen që kërkon zgjidhja e pavarur e një problemi.

Jo çdo vështirësi në procesin e të mësuarit duhet eliminuar. Ndonjëherë, pikërisht përpjekja për të kuptuar diçka të ndërlikuar është pjesa më e vlefshme e mësimit.

Prindërit dhe mësimdhënësit duhet të gjejnë një ekuilibër ndërmjet mundësive që ofron teknologjia dhe nevojës së fëmijëve për të zhvilluar aftësitë e tyre intelektuale.

Arsimimi nuk duhet të përfundojë me diplomimin

Për dekada, modeli tradicional i jetës profesionale ka qenë relativisht i thjeshtë: njerëzit arsimoheshin në fëmijëri dhe rini, zgjidhnin një profesion dhe më pas punonin në atë fushë për pjesën më të madhe të jetës.

Susskind argumenton se përballë pasigurisë teknologjike, aftësia dhe gatishmëria për t’u rikualifikuar gjatë jetës së rritur do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.

Një person mund të ketë nevojë të mësojë një profesion të ri në moshën 35, 45 apo edhe 55-vjeçare. Njohuritë e fituara në universitet mund të mos jenë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur të gjitha ndryshimeve që do të ndodhin gjatë një karriere disa dekadëshe.

Kjo nënkupton edhe një ndryshim në mënyrën se si prindërit e konceptojnë suksesin arsimor të fëmijëve të tyre.

Përveç rezultateve të mira në shkollë dhe marrjes së një diplome, rëndësi ka edhe zhvillimi i kureshtjes, dëshirës për të mësuar dhe gatishmërisë për të ndryshuar.

Ndoshta pyetja më e rëndësishme që prindërit duhet t’ia bëjnë vetes sot nuk është se çfarë profesioni duhet të zgjedhin fëmijët e tyre, por nëse po i përgatisin ata që të jenë në gjendje të mësojnë, të mendojnë dhe të përshtaten në një botë që do të vazhdojë të ndryshojë.