Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka uruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me rastin e 27 Nëntorit, Ditës së Forcës, duke vlerësuar kontributin e tyre në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Në mesazhin e saj, Shiroka Pula ka thënë se ushtria e Kosovës mishëron aspiratën e brezave për një shtet të lirë, të pavarur dhe të sigurt.
“Ushtria jonë mishëron aspiratën e brezave për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt. E ndërtuar mbi sakrificën e popullit tonë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo dëshmon vendosmërinë tonë për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e fituar me sakrificë”, ka deklaruar presidentja.
Në cilësinë e Presidentes së Republikës dhe Komandantes Supreme, ajo ka theksuar se mbetet e përkushtuar për forcimin e ushtrisë dhe avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
“Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme, mbetem e palëkundur në përkushtimin tim për forcimin e ushtrisë sonë, avancimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj”, thuhet në mesazhin e Shiroka Pulës.
Presidentja ka përmendur edhe rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë strategjikë, duke thënë se Kosova do të vazhdojë të ndërtojë një forcë moderne dhe profesionale, të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s.
“Krah për krah me SHBA-në dhe aleatët e tjerë strategjikë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një forcë moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s, të gatshme për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Republikës dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.
Në këtë ditë, Shiroka Pula ka përkujtuar Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, duke e cilësuar sakrificën e tyre si burim frymëzimi dhe përgjegjësie.
“Sakrifica e tyre mbetet burim i përhershëm frymëzimi dhe përgjegjësie për secilin prej nesh”, ka theksuar presidentja.
Në fund të mesazhit të saj, ajo ka përcjellë urimet për pjesëtarët e FSK-së, duke vënë në pah rëndësinë e shërbimit ndaj atdheut.
“Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët”, ka përfunduar Shiroka Pula.