Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer përplasjen tregtare me Kinën, vetëm pak ditë pasi u takua dhe përqafoi homologun kinez Xi Jinping gjatë samitit të APEC-ut në Shenzhen.

Pas një periudhe afrimi diplomatik dhe përpjekjesh për të ulur tensionet mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë, administrata amerikane ka njoftuar një paketë të re tarifash doganore, duke e vendosur sërish Pekinin në shënjestër. Lëvizja ka ngritur pikëpyetje mbi strategjinë e vërtetë të Trumpit: a synon ai të dobësojë ekonominë kineze, të sigurojë më shumë të ardhura për buxhetin amerikan apo të përdorë presionin ekonomik si mjet për të detyruar Xi Jinpingun të bëjë lëshime në negociata?

Përplasja tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit nisi të marrë përmasa të mëdha në shkurt të vitit 2025, kur Trump, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, vendosi një tarifë prej 10% për mallrat kineze, duke e justifikuar vendimin me akuzat se Kina nuk po bënte mjaftueshëm për të ndaluar trafikun e drogës drejt SHBA-ve.

Reklamë

Pekini u kundërpërgjigj duke kufizuar eksportet e pesë metaleve të rralla, të cilat janë thelbësore për industrinë e mbrojtjes, teknologjinë dhe energjinë e pastër. Përplasja u përshkallëzua më tej në prill, kur Trump shpalli tarifat e ashtuquajtura “Dita e Çlirimit”, duke vendosur një taksë prej 34% për produktet kineze.

Pas një serie kundërpërgjigjesh, tarifat amerikane ndaj Kinës arritën deri në 145%, ndërsa Pekini vendosi tarifa prej 125% për mallrat amerikane dhe kufizime të tjera mbi eksportet e mineraleve të rralla.

Pas muajsh tensionesh, dy liderët ranë dakord për një armëpushim tregtar në tetor 2025, gjatë samitit të APEC-ut në Korenë e Jugut. Më pas, Trump udhëtoi drejt Pekinit në maj dhe Xi Jinping vizitoi Uashingtonin në shtator, përpara takimit të fundit në Shenzhen, ku të dy presidentët shfaqën publikisht afrimin e tyre.

Megjithatë, ky afrimitet nuk e ka penguar administratën amerikane të përgatisë një tjetër goditje ekonomike. Këtë herë, Uashingtoni ka njoftuar tarifa të reja për 14 partnerë të rëndësishëm tregtarë, mes tyre Kinën, Bashkimin Europian dhe Indinë, me pretendimin se këto ekonomi po përfitojnë nga subvencionet shtetërore dhe politikat që mbajnë artificialisht të ulëta kostot e prodhimit dhe pagat.

Reklamë

Kina është vendosur në krye të listës, me një tarifë të re prej 20%, ndërsa Trump ka kërcënuar se ajo mund të arrijë në 40% nëse negociatat tregtare dështojnë. Ndryshe nga paketa e mëparshme, e cila u mbështet në kompetenca emergjente dhe u rrëzua nga Gjykata e Lartë amerikane, kësaj radhe administrata po përdor nenin 301 të Ligjit të Tregtisë të vitit 1974.

Hetimi amerikan, i nisur në mars, pretendon se këto vende kanë krijuar një kapacitet të tepërt industrial përmes ndërhyrjes së shtetit, duke përmendur veçanërisht sektorët kinezë të çelikut, aluminit, makinave elektrike, pajisjeve elektroshtëpiake dhe paneleve diellore.

Sipas Alicia Garcia-Herrero, kryeekonomistes për Azi-Paqësorin në bankën Natixis, qëllimi i Trumpit është të rikrijojë fuqinë negociuese që humbi pas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe të ushtrojë presion mbi Pekinin përpara takimit të ardhshëm me Xi Jinping.

Ndërkohë, Deborah Elms nga fondacioni Hinrich vlerëson se objektivi fillestar i hetimit ishte rikthimi i tarifave të shpallura gjatë “Ditës së Çlirimit”, por më pas strategjia amerikane u zgjerua, duke e kthyer nenin 301 në një instrument më të gjerë presioni ndaj partnerëve tregtarë të Kinës.

Reklamë

Pekini e ka kundërshtuar ashpër këtë qasje, duke paralajmëruar se rezervon të drejtën për t’u kundërpërgjigjur me tarifa më të larta dhe duke e cilësuar hetimin amerikan si një veprim të njëanshëm që cenon rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Për Kinën, shqetësimi nuk lidhet vetëm me tarifën prej 20%, por edhe me përpjekjen amerikane për t’i detyruar vendet e tjera të kufizojnë marrëdhëniet ekonomike me të.

Sipas ekspertëve, Trump po përdor tarifat si një mënyrë për të mbajtur Pekinin nën presion edhe pas takimeve miqësore, ndërsa Kina ka ende në duar një instrument të fuqishëm kundërpërgjigjeje: metalet e rralla, nga të cilat varen shumë industri amerikane.

Ekonomisti Chen Bo nga Universiteti Kombëtar i Singaporit argumenton se tarifat e reja mund të shërbejnë edhe për të siguruar të ardhura për qeverinë amerikane, e cila ka nevojë të financojë shpenzimet e saj, përfshirë luftën me Iranin, në një kohë kur normat e larta të interesit e bëjnë më të vështirë mbështetjen te tregu i obligacioneve.

Megjithatë, shifrat tregojnë se presioni i deritanishëm nuk e ka frenuar ndjeshëm fuqinë eksportuese të Kinës. Vitin e kaluar, suficiti tregtar kinez në mallra arriti një rekord prej 1.19 trilionë dollarësh, ndërsa SHBA-të regjistruan një deficit prej 1.24 trilionë dollarësh. Sipas Chen Bo, tarifat nuk do të arrijnë të ndryshojnë në mënyrë domethënëse kapacitetin e tepërt prodhues të Kinës.

Reklamë

Tashmë, vëmendja është përqendruar te takimi i ardhshëm mes Trumpit dhe Xi Jinpingut, i planifikuar muajin e ardhshëm në samitin e G20-s në Miami, ku pritet të diskutohen jo vetëm marrëdhëniet tregtare, por edhe inteligjenca artificiale, armët bërthamore dhe luftërat në Iran e Ukrainë.

Rreziku më i madh për Trumpin mbetet që tarifat e reja të rrisin çmimet për konsumatorët amerikanë, ndërsa për Kinën mundësia për t’u kundërpërgjigjur përmes kufizimit të eksporteve të metaleve të rralla mbetet një ‘armë’ e rëndësishme në këtë përballje.