Një përplasje zinxhirore në afërsi të Kemptthalit, mes Effretikonit dhe Winterthur-Töss, ka shkaktuar bllokimin e autostradës A1 në drejtim të St. Gallenit. Dyshohet se shkak i aksidentit ishte ngrica në rrugë.
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të premten në mëngjes, më 27 nëntor, në autostradën A1 në Zvicër, në afërsi të Kemptthalit, në kantonin e Cyrihut. Në aksident janë përfshirë gjithsej 37 automjete, ndërsa dhjetë persona janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, transmeton albinfo.ch.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat zvicerane, në përplasjen zinxhirore janë përfshirë 23 vetura, gjashtë furgonë dhe tetë kamionë. Gjashtë nga personat e lënduar kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa katër të tjerë lëndime të shkallës së mesme.


Dyshohet se shkaku i aksidentit ishte ngrica në rrugë, e cila kishte krijuar kushte të rrezikshme për qarkullimin e automjeteve në orët e para të mëngjesit.
Si pasojë e aksidentit, autostrada A1 në drejtim të St. Gallenit është mbyllur plotësisht në segmentin ndërmjet Effretikonit dhe Winterthur-Töss. Policia Kantonale e Cyrihut u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që ta shmangin këtë zonë dhe të përdorin rrugë alternative.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e policisë dhe shërbimet e emergjencës. Për shkak të numrit të madh të automjeteve të përfshira dhe vështirësive gjatë largimit të tyre, punimet për pastrimin e rrugës pritet të zgjasin.
Deri në momentin e raportimit, nuk ishte bërë e ditur se kur do të rihapej autostrada për qarkullim.
Nau+2 /Albinfo
