Qeveria e Shqipërisë ka miratuar sot më 27 nëntor, një akt normativ që parashikon kompensimin e bizneseve për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunës gjatë protestave.

Sipas skemës së re, shteti do të marrë përsipër fillimisht dëmshpërblimin e pronarëve të prekur, ndërsa më pas do të nisë procedurat për të rikuperuar paratë nga personat përgjegjës për dhunën.

Kështu, Këshilli i Ministrave bëri të ditur miratimin e aktit normativ “Për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve”, duke përcaktuar edhe dy objektivat kryesore të tij.

Reklamë

Konkretisht, në vendim thuhet se synohet që akti normativ “të sigurojë kompensimin efektiv të dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve”, si dhe “të garantojë që barra financiare e dëmeve të shkaktuara të përballohet nga personat përgjegjës për shkaktimin e tyre”.

Sipas skemës së parashikuar, kompensimi mund të jepet edhe në rastet kur personat që kanë shkaktuar dëmet nuk janë identifikuar, duke mos e lënë pronarin e biznesit të dëmtuar në pritje të përfundimit të hetimeve, për të përfituar dëmshpërblimin.

Pas kryerjes së pagesës, shteti do të nisë procedurat për t’u marrë përgjegjësve shumën për kompensimin e dëmit. Këtë proces do ta ndjekë Avokatura e Shtetit, e cila fillimisht do t’u kërkojë personave përgjegjës kthimin vullnetar të parave dhe, në rast refuzimi, mund t’i drejtohet gjykatës për rikuperimin e tyre.

Përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm te personat që kryejnë drejtpërdrejt veprimet e dhunshme, pasi në rrethana të caktuara ajo mund të shtrihet edhe te organizatorët dhe drejtuesit e tubimeve, të cilët mund të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.

Ata mund të përjashtohen nga ky detyrim nëse provojnë se dhuna nuk është nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësi ta parandalojnë. Akti parashikon gjithashtu mundësinë që detyrimi financiar të shlyhet përmes punës në interes publik, por vetëm nëse personi përgjegjës jep pëlqimin e tij të lirë.

Reklamë

Qeveria e Shqipërisë argumenton se qëllimi i kësaj skeme nuk është kufizimi i protestave paqësore, por garantimi i kompensimit për pronarët e dëmtuar dhe vendosja e përgjegjësisë financiare mbi personat që kryejnë akte dhune dhe shkaktojnë dëme materiale.