×
  • Sport
  • Sport

    Një italian do përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Botëror

    Reporteri
    02 Prill 2019 | 14:15

    Italiani Marco Maddaloni, shtatë herë kampion i Italisë në disiplinën sportive të xhudos, dy herë fitues i vendit të tretë në Kupën e Botës e dy herë kampion europian, do të veshë fanellën kuqezi e do të garojë për Shqipërinë në Kampionatin Botëror të xhudos që do të zhvillohet në shtator 2019 në Japoni.


    Ky lajm është bërë publik nga vetë kampioni, i cili një natë më parë u shpall dhe fitues i spektaklit televiziv reality “Ishulli i të famshmëve”.

    Për rreth 2 muaj, 20 personazhe VIP të botës së artit, sportit e televizionit italian jetuan si të mbijetuar në një ishull të Hondurasit.

    E ndër 4 VIP-at që mbërritën deri në finale, me 61% të votës së publikut u shpall fitues xhudisti Marco Maddaloni.

    Në intervistën e parë të dhënë menjëherë pas spektaklit për median italiane “Il Corrriere”, Marco Maddaloni rrëfen se po përgatitet për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Xhudos që do të zhvillohet në shtator në Tokio të Japonisë e ku do të garojë për Shqipërinë.

    Federata Italiane e Xhudos nuk e ka futur në  listën e 4 atletëve italianë të seleksionuar për këtë kampionat.

    Dhe pse Federata e ka motivuar si një zgjedhje teknike, Marco Maddaloni rrëfen: “Sot jam 34 vjeç e dua të fitoj dinjitetin tim sportiv që prej 3 vitesh është vënë nën këmbë, prandaj kam vendosur të garoj me Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Japonisë. Unë isha ndër 10 më të mirët në Botë, po kualifikohesha për Rio e për një intervistë komode më bllokuan kualifikimin e kjo nuk i lejohet askujt. Tërheqja e një sportisti duhet të vijë në tapetin e garës e jo për fjalë. Nuk mu dha mundësia të vdes në fushën e betejës e unë dua të vdes me kimono veshur”, tha ai.

    Marco Maddaloni shprehet qartë se me fanellën kuqezi do të jetë gara e fundit sportive në nivel internacional për të, por është i kënaqur që Shqipëria ia dha këtë mundësi të garojë e të largohet nga sporti me buzëqeshje në fytyrë.

    “E di, thotë ai, se jam 34 vjeç dhe me 5 ndërhyrje në këmbë. Por Shqipëria më dha mundësinë për të fituar të drejtën time për t’u tërhequr nga sporti dhe e bëj me kënaqësi”, deklaroi xhudisti.

    s

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!