Kryetari i Komunës së Prishtinës ka reaguar ashpër ndaj vendimit që derbi gjilanas, Gjilani – Drita të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndeshja e cila luhet në kuadër të IPKO Superligës së Kosovës pritet të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shkruan Reporteri.net
Ahmeti ka thënë se stadiumi nuk është as i Qeverisë as i Federatës.
Në postimin e Ahmetit në Facebook thuhet:
Objekti ka filluar të ketë probleme ende pa u bërë pranimi. Për shkak të rëndësisë së ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës nuk kemi deklaruar asgjë në lidhje me këtë.
Por tani, dikush ka filluar të ndajë lokale e zyre e Federata ka vendosur që të luhen edhe ndeshjet tjera kampionale si Drita – Gjilani pa u konsultuar fare me Komunën.
Stadiumi nuk është as i Qeverisë e as i Federatës. I takon qytetarëve të Prishtinës. Ne kemi nderin që aty të luajnë Kosova drejt kualifikimit për kampionat e Prishtina lojët kampionale, por askush nuk ka të drejtë as të ndajë lokale e as të vendos ndeshje të tjera.
Kërkojmë nga ministria që sa më parë ta dorëzoj stadiumin sipas marrëveshjes dhe po ashtu që çdo vendim për lokale e lojë të bëhet me bazë ligjore, sepse përndryshe jemi të detyruar ti lirojmë hapësirat me ligjet në fuqi.
Ne kemi mirëkuptim, por çdo gjë duhet të bëhet me ligj dhe në përputhje me interesin publik./Reporteri.net