Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili që prej largimit nga Lëvizja Vetëvendosje shpesh herë përballet me tallje nga komentuesit në Facebook, u vu para një situate të tillë edhe sot.
Një postim i tij për ndeshjen Gjilani-Drita që do të luhet në “Fadil Vokrri”, ka bërë që komentuesit të shpërthejnë ndaj Ahmetit.
Ahmeti u shpreh kundër zhvillimit të derbit lokal gjilanas në kryeqytet, duke mos e përmendur asnjë arsye se pse ky takim s’duhet të luhet në impiantin e rinovuar të Prishtinës.
Megjithatë, shumë prej ndjekësve të tij në këtë rrjet social ia kujtuan kohën kur FC Prishtina endej poshtë e lartë nëpër Kosovë, nga Peja në Mitrovicë e nga Obiliqi në Podujevë, për të zhvilluar ndeshjet që i kishte nën cilësinë e vendësit.
“Me imazhe te derbit Drita – Gjilani jeni pranu ne Uefa & FIFA .. kshtu qe “take it easy ” ju kalon edhe kjo”, ishte njëri prej komenteve që mori më shumë pëlqime.
“Kryetar ju vishit lujshit nPej na sju kem ndjek asnjo , stadiumi osht i Kosoves jo i yti mos tju vjen inati qe aj Derbi bon tifoz prezent ma shum se Prishtina”, ishte komenti tjetër.
Ndryshe, ky ishte postimi i plote i Ahmetit:
“Stadiumi i Prishtinës është pronë e Komunës së Prishtinës. Qe nga renovimi qeveria nuk e ka bërë pranimin teknik dhe si pasojë objekti i renovuar nuk është dorëzuar te Komuna.
Objekti ka filluar të ketë probleme ende pa u bërë pranimi. Për shkak të rëndësisë së ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës nuk kemi deklaruar asgjë në lidhje me këtë.
Por tani, dikush ka filluar të ndajë lokale e zyre e Federata ka vendosur që të luhen edhe ndeshjet tjera kampionale si Drita – Gjilani pa u konsultuar fare me Komunën.
Stadiumi nuk është as i Qeverisë e as i Federatës. I takon qytetarëve të Prishtinës. Ne kemi nderin që aty të luajnë Kosova drejt kualifikimit për kampionat e Prishtina lojët kampionale, por askush nuk ka të drejtë as të ndajë lokale e as të vendos ndeshje të tjera.
Kërkojmë nga ministria që sa më parë ta dorëzoj stadiumin sipas marrëveshjes dhe po ashtu që çdo vendim për lokale e lojë të bëhet me bazë ligjore, sepse përndryshe jemi të detyruar ti lirojmë hapësirat me ligjet në fuqi.
Ne kemi mirëkuptim, por çdo gjë duhet të bëhet me ligj dhe në përputhje me interesin publik”.