Në kohën kur amerikanët kanë “ngrirë” raportet me Qeverinë e Kosovës për shkak të taksës, kryeministri Haradinaj ka takuar një person që s’ka aq ndikim në jetën politike amerikane.
Duke e quajtur kënaqësi të veçantë, Haradinaj ka treguar se ka takuar anëtarin e bordit të Universitetit Amerikan në Kosovë që njihet si AUK, shkruan Reporteri.net.
“Kënaqësi e veçantë ta pres në takim anëtarin e bordit të Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK) dhe ish-diplomatin amerikan, Louis Sell, me të cilin biseduam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe përgatitjen profesionale të të rinjve tanë, që të jenë në hap me dinamikat globale dhe standardet amerikane të edukimit”, ka thënë Haradinaj.
Ndër të tjera, kryeqeveritari e ka paraqitur si dëshmi të fuqishme të bashkëpunimit Kosovë-SHBA, faktin se instituti amerikan funksionon në Kosovë.
Sidoqoftë, Haradinaj është përballur kohën e fundit me presion të madh amerikan lidhur me taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, e cila gjë ka reflektuar edhe në mosdhënie të vizave për zyrtarët kosovarë si dhe shkurtim të misioneve./Reporteri.net