×
  • Lajme
  • Botë

    Irani kërcënon edhe Evropën

    Reporteri
    14 Janar 2020 | 22:19

    Irani paralajmëroi sot Berlinin, Londrën dhe Parisin në lidhje me pasojat e vendimit të tyre për vazhdimin e procesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sipas Paktit Ndërkombëtar për armët bërthamore të Iranit të vitit 2015.


    “Sigurisht, nëse evropianët vazhdojnë në rrugën e nënshtrimit ndaj SHBA-së dhe nëse kërkojnë të abuzojnë me këtë proces, ata duhet të jenë të gatshëm edhe të pranojnë pasojat, të cilat tashmë u janë njoftuar”, tha Ministria e Jashtme iraniane në një deklaratë.

    Teksti sugjeron se Teherani ka pak besim në deklaratat e mirëbesimit të evropianëve, ku u mbështetën ata për të ndërmarrë këtë veprim, për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të arritur në Vjenë në vitin 2015.

    Tre vende evropiane, nënshkruese të marrëveshjes bërthamore iraniane, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, aktivizuan mekanizmin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, parashikuar në tekst, me qëllim për të bindur Teheranin t’i rikthehet respektimit të angazhimeve të tij, njoftuan krerët e diplomacive në një komunikatë të përbashkët.

    “Duke bërë këtë, tre vendet tona nuk i bashkohen fushatës që parashikon ushtrimin e presionit maksimal kundër Iranit”, shtojnë ata, duke lënë të kuptohet se nuk dëshirojnë t’i bashkohen politikës së sanksioneve të SHBA-së.

    Aktivizimi i mekanizmit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (MRD), me të cilën Parisi ka kërcënuar që prej disa javësh, mund të sjellë rivendosjen e sanksioneve nga OKB-ja.

    “Evropianët nuk dëshirojnë të nxitojnë me kalimin në sanksione, por të ushtrojnë presion ndaj Iranit për të shpëtuar marrëveshjen e vitit 2015 (JCPOA) që ka të bëjë me programin bërthamor iranian”, nënvizoi Parisi.

    Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell theksoi javën e kaluar se Irani duhet t’i përmbahet angazhimeve për të shmangur fundin e marrëveshjes për programin bërthamor, që ai nuk e përjashton.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!