Real Madridi arriti ta fitojë 2:1 ndeshjen kundër Eibarit, duke e përmbysur rezultatin me dy golat e shënuara nga Karim Benzema.
Fillimisht ishin mysafirët ata të cilët kaluan në epërsi. Në minutën e 39-të, Marc Cardona arriti ta shënojë golin e vetëm të 45 minutave të parë në Santiago Bernabeu. Kjo ishte goditja e parë e Eibarit drejt portës dhe ata arritën ta shfrytëzojnë atë në mënyrë të përsosur.
Megjithatë, pjesa e dytë nuk shkoi edhe kaq mirë për ta. Qysh në minutën e 59-të, sulmuesi Karim Benzema e shënoi golin e tij e parë.
Francezi e ndoqi këtë edhe me një gol tjetër, këtë herë në minutën e 81-të të ndeshjes.
Kjo fitore nuk ia ndryshon Real Madridit pozitën në tabelën e La Ligës, pasi që madrilenët mbeten në pozitën e tretë, me 13 pikë më shumë se Getafe, në pozitën e katërt, e dy pikë më pak se Atletico Madridi, në pozitën e dytë.
Megjithatë, nëse rivali i qytetit, Atletico Madridi, pëson sonte disfatë në ndeshjen kundër Barcelonës, atëherë “Los Blancos” mund të shpresojnë që ta përfundojnë sezonin në pozitën e dytë, e jo atë të tretë.