Grupi “Queen” u bë sot i pari grup roku që nderohet me një monedhë të koleksionit britanik, në krye të të cilës, mes instrumenteve të tjerë, qëndron piano e këngëtarit Freddie Mercury.
“Queen, njëri prej grupeve më simbolike të të gjitha kohërave, inauguron kështu një seri monedhash të përkushtuara legjendave të muzikës”, theksoi instituti mbretëror i monedhës britanike, “Royal Mint”, në faqen e tij në internet.
Dizajni i monedhës bashkon instrumentet e secilit prej anëtarëve themelues të grupit: kitarën e kuqe të Brian May, kitarën bas të John Deacon, baterinë e Roger Taylor dhe pianon e Freddie Mercury-t, tastet e së cilës luajnë notat e fillimit të këngës “Rapsodia bohemiane”.
Në qendër është mbishkrimi “Queen”, nënvizuar nga një mikrofon.