Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e një muaji paraburgim ndaj një personi me inicialet S.L., i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari më 10 tetor 2026, rreth orës 16:30, në fshatin Pjetërshan të Gjakovës, pas një mosmarrëveshjeje pronësore, dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta vëllain e tij, H.L., si dhe ka rrezikuar jetën e kushëririt të tij, P.L., duke shtënë katër herë me armë automatike të tipit AK-47.
Si pasojë e të shtënave, të dy personat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se i dyshuari, përveç armës automatike AK-47, dyshohet se ka mbajtur pa autorizim edhe një pushkë gjuetie, dhjetë fishekë të kalibrit 12 dhe një fishek të kalibrit 7.62 mm.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tij dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Me këto veprime, i dyshuari ngarkohet për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Për rastin, Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim.