×
  • Lajme
  • Botë

    Punëtori i KFC diagnostifikohet me koronavirus, kompania mbyll restorantet

    Reporteri
    10 Shkurt 2020 | 12:12

    Një anëtar i stafit të KFC i përfshirë në përgatitjen e ushqimit është diagnostikuar me koronavirusin vdekjeprurës, Wuhan 2019-nCoV, sipas një raporti në një gazetë kineze.


    Personi i prekur punonte në një restorant KFC në Xi’an, Provinca Shaanxi e Kinës veriperëndimore, raporton Global Times, lajm i cili është publikuar edhe në mediat angleze.

    Tani ka 37,580 raste të konfirmuara me të infektuar në gjithë botën, dhe 813 njerëz kanë vdekur, sipas shifrave zyrtare, shkruan Reporteri.net.

    Yum China Holdings, kompania me seli në Shanghai, e cila zotëron ekskluzivitetin për KFC, Pizza Hut dhe Taco Bell në territorin kinez, ka njoftuar se po mbyll përkohësisht rreth një e tretën e 9,200 pikave të saj për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

    Kompania, e cila ka pika në më shumë se 1.300 qytete në Kinë, tha që shitjet dhe fitimet e saj në vitin 2020 do të goditen rëndë nga shpërthimi i këtij virusi të cilit akoma nuk i është gjetur ilaçi.

    KFC tha se nuk mund të parashikonte saktësisht se kur restorantet do të rihapeshin.

    Një njoftim për shtyp, kompania tha se prioritet kanë shëndetin e punonjësve dhe klientëve.

    “Prioriteti ynë kryesor është shëndeti dhe siguria e punonjësve dhe klientëve tanë. Ne kemi zbatuar masa të ndryshme parandaluese nëpër restorantet tona dhe vendet e tjera të punës për të ndihmuar në mbrojtjen e punonjësve dhe klientëve tanë”.

    Kompania tha se mund të duhet të mbyllë edhe më shumë restorante ose të zvogëlojë orët e hapjes pasi situata po shkon duke eskaluar.

    “Ne do të vazhdojmë të monitorojmë këtë situatë të rrjedhshme dhe të reagojmë në përputhje me rrethanat”, tha një zëdhënës i kompanisë. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!