×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Flet drejtori i Fondit për Garanci Kreditore: Këto biznese mund të përfitojnë nga ky fond

    Reporteri
    17 Dhjetor 2020 | 14:42

    Ditë më parë Qeveria e Kosovës lansoi Fondin për Garanci Kreditore, me ç’rast kryeministri Avdullah Hoti, bëri të ditur se ky Fond do të jetë pjesë e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike 2020-2021.


    Krejt çfarë tha Hoti ishte se me këtë mekanizëm, do të krijohen lehtësi kreditore për bizneset dhe rritet likuiditeti i kompanive, ndërsa në të njëjtën kohë ulet rreziku kreditor, duke mos dhënë detaje tjera se kur do të fillon të aplikohet dhe cilat bizneset do të përfitojnë konkretisht.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, për të mësuar më shumë për këtë fond, dhe përfitimet që do t’i sjellë ai për bizneset ka biseduar me drejtorin e Fondit për Garanci Kreditore, Besnik Berisha.

    Berisha ka bërë të ditur se ky fond në shfrytëzim pritet të hyjë para festive të fundvitit.
    “Planifikojmë të fillojmë nga java e ardhme, para festave te fundvitit”, ka deklaruar ai për Reporteri.net.

    Ai ka treguar se kredi mund të marrin vetëm bizneset që kanë mbi 250 punëtorë.
    “Të gjitha bizneset që kanë deri në 250 punëtorë, në sektorët e prodhimit, tregtisë, ICT-së, shërbimeve (HORECA), bujqësisë, start-up, investimet në efikasitet të energjisë dhe energji të ripërtëritshme”, ka treguar Berisha.

    Ai ka bërë të ditur se vlera maksimale e kredisë që mund të marrin bizneset që i plotësojnë kushtet është 1 milion euro.

    “Vlera maksimale e kredisë se garantuar do të jetë 1 milion euro. Shërbimet kreditore që kualifikojnë janë: kreditë, overdrafti, linja kreditore, leasing. Presim që përfitimet nga bizneset do të jenë të shumta; vlerë kolaterali më e ulet, procesim më i shpejtë i aplikacionit të kredisë, si dhe në përgjithësi kushte më të mira kreditore”, ka treguar Berisha.

    Kurse sa i përket formës së shfrytëzimit të fondit, Berisha ka thënë se është skemë garantuese për ndarje të rrezikut kreditor me bankat komerciale në Kosovë.

    “Ndarja e rrezikut do të bëhet në proporcion: 80% e kryegjësë së kredisë do të garantohet nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, ndërsa 20% e kryegjësë së kredisë do të jetë rrezik kreditor i mbajtur nga kreditori ( banka)”, ka treguar Berisha.

    Ndryshe, në këtë fond përpos Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë ofruar mbështetje edhe Banka Botërore, Banka Investive Evropiane si dhe KFW-ja gjermane. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!