Nga salla ku do të mbahet koncerti i Vitit të Ri në Vjenë, violinisti i njohur shqiptar, Shkëlzen Doli, uron të gjithë shqiptarët. Ai shprehet se koncerti në këtë sallë prestigjioze do jetë sfida më e vështirë e jetës së tij, por shpreson që muzika të depërtojë thellë në zemrat e teleshikuesve sikur të gjendeshin aty.
Postimi:
Të nderuar miq dhe artdashës!
Ju përshëndes nga ky ambient i bukur, nga ku për çdo vit depërtojnë tinguj magjepsës nga koncerti më prominent i muzikës klasike në mbarë botën – Koncerti i Vitit të Ri në Vjenë.
Nga ky ambient impozant, ku për herë të parë në histori, muzika e kompozitorëve të njohur vjenez do të luhet pa publikun dhe pa duartrokitjet LIVE në sallë. Do të jetë me padyshim koncerti më i vështirë i jetës sime, ku nuk do të cirkulojë nga afër energjia dhe emocionet e publikut sëbashku me artistët!
Megjithatë, uroj që ky koncert të depërtojë thellë në zemrat e të gjithë teleshikuesve duke ndezur optimizëm dhe duke përçuar një ndjenjë shprese për të ardhmen, në një botë pa pandemi.
Gëzuar 2021!